Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka lënë anash pak fushatën dhe ka udhëtuar sot për në Zvicër, ku do të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Lajmi është bërë i ditur nga Zyra për Komunikim Publik e Qeverisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, në Davos do të nënshkruhet Marrëveshja e Tregtisë së Lirë me vendet anëtare të EFTA-s (Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë).
“Kosova është i vetmi vend në rajon që përveç negocimit për tregti të mallrave, ka negociuar edhe për tregti të shërbimeve me EFTA-n. Kjo marrëveshje do të krijojë mundësi të reja për prodhuesit dhe kompanitë tona vendore dhe do të forcojë partneritetin ekonomik dhe tregtar ndërmjet vendit tonë dhe Norvegjisë, Zvicrës, Lihtenshtajnit dhe Islandës si shtete anëtare të EFTA-s”, është thënë në njoftim.
Dipas ZKM-së, gjatë qëndrimit atje, kryeministri Kurti gjithashtu do të ketë takime me përfaqësues shtetërorë të vendeve mike e partnere dhe me investitorë potencialë, si dhe do të marrë pjesë në panelin e diskutimit me titull “Demokracitë e qëndrueshme në një epokë të ndryshimit” dhe panelin “Inteligjenca Artificiale për Njerëzimin: inovacioni etik në epokën e Inteligjencës”. Të dy këto panele do të mbahen në Shtëpinë e Kosovës (House of Kosova) në Davos e cila është hapur për herë të parë.
Në Forumin Ekonomik në Davos marrin pjesë edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.