Ibrahim Rugova vdiq para 19 vjetësh, në 21 janarin e vitit 2006.
Gazeta franceze “Libération” shkruante për vdekjen e liderit ikonik të shqiptarëve të Kosovës.
“Ibrahim Rugova nuk do ta shohë pavarësinë e Kosovës”, ishte titulli i kësaj gazete.
“Libération” shkruante se për karakterin interesant të Rugovës, i cili megjithëse kishte postin e presidentit, “në fakt, prerogativat e tij nuk ishin më të gjera se ato të një kryetari të një landi gjerman”.
“Lideri karizmatik i luftës së Kosovës për pavarësi vdes në moshën 61-vjeçare nga kanceri në mushkëri, pikërisht në momentin kur do të fillojnë negociatat për ‘statusin përfundimtar’ të vendit, të populluar me shumicë dërrmuese nga popullsia shqiptare. Këta 1.8 milionë njerëz kërkojnë pavarësi, ndërsa serbët e fundit, as 100,000, dëshirojnë ta ruajnë edhe sovranitetin formal nga Beogradi mbi këtë rajon”.
“Pa dhunë. Humbja e njeriut që kishte marrë nofkën ‘Gandhi i Ballkanit’ për strategjinë e tij të mosdhunës e bën rezultatin e këtyre diskutimeve edhe më të rrezikshëm, sepse vetëm ai, ‘babai i kombit’, kishte prestigj të mjaftueshëm për të bërë lëshime që do të pranoheshin nga një popullatë shqiptare e Kosovës gjithnjë e më e paduruar për të pasur shtetin e saj”, shkruante “Libération”.