Ish-presidenti amerikan Jimmy Carter vdiq në moshën 100-vjeçare, pak para lajmit mbi një marrëveshje të afërt për lirimin e pengjeve të fundit të Izraelit në Gaza. Presidenca e Carter u dëmtua shumë nga kriza e diplomatëve amerikanë të mbajtur peng në Teheran.
Lirimi i tyre, u bë prioriteti më i madh i administratës së tij, dhe ai punoi për të në secilën nga 444 ditët që zgjati kriza, shpeshherë duke përjashtuar çdo gjë tjetër. Në të kundërt, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i rezistoi presionit të madh të brendshëm për të arritur një marrëveshje për pengjet e tij, që të ndjekë qëllimin e shkatërrimit të Hamasit.
Mund ta quani këtë veprim prej burri shteti ose diçka tjetër, por kjo është një lloj fitoreje për Netanyahun. Marrëveshja është me sa duket e njëjta, e ndërmjetësuar nga SHBA-ja në maj 2024. Po çfarë ndryshoi? Faktori Trump. Presidenti i zgjedhur e kërcënoi publikisht Hamasin me asgjësim, nëse pengjet izraelite nuk lirohen para ceremonisë së inaugurimit të tij në detyrë javën e ardhshme.
Megjithatë, mund të kenë qenë kërcënimet private – apo premtimet – ndaj Netanyahut, ato që i dhanë fund ngërçit. Edhe pse nuk është ende president, Trump e dërgoi të dërguarin e tij të ri
për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, në bisedimet mbi pengjet në Katar dhe në Izrael.
Witkoff pati sukses aty ku për 15 muajt e fundit dështoi administrata Biden. Ashtu si Trump, ai është një miliarder i pasurive të paluajtshme në Nju Jork. Ndërkaq, është një nga miqtë e Trump në klubin e golfit, dhe ky i fundit i beson aq shumë sa që e ndihmoi në hapjen e sipërmarrjes së tij të re të kriptomonedhave.
Witkoff nuk ka përvojë si diplomat, por si Trump është një marrëveshje-bërës, që e di se kur të ngrejë zërin. Kur ishte i ri thuhet se mbante një pistoletë me vete për të mbledhur qiratë e banorëve, teksa mbante në tryezën e tij librin “Hebrenjtë e ashpër” mbi mafiozët hebrenj të Murder, Inc. në Brooklyn. (Vetë Witkoff është hebre dhe nga Bruklini).
Siç raporton gazeta izraelite “Haaretz”, Witkoff u telefonoi ndihmësve të Netanyahut të premten e 10 janarit për t’u thënë se do të mbërrinte në Izrael pasditen e të nesërmes. Ndihmësit i shpjeguan me mirësjellje se do të ishte mesi i Shabatit, dhe kryeministri do ta takonte me kënaqësi të shtunën në mbrëmje.
Reagimi i ashpër i Witkoff i befasoi. Ai u tha prerë se nuk i interesonte aspak Shabati. Kështu,
në “një distancim të pazakontë nga praktika zyrtare”, kryeministri izraelit shkoi në zyrën e tij të shtunën pasdite, dhe duke e marrë personalisht mesazhin “me zë të lartë dhe të qartë” të Witkoff, ra dakord për të njëjtën marrëveshje që e kishte refuzuar gjatë 8 muajve të fundit.
Siç raportohet, pakti parashikon që pengjet të lirohen në disa faza, me hyrjen në fuqi të armëpushimit dhe tërheqjen e forcave izraelite. Do të nisë ndihma dhe rindërtimi i Gazës. Kur të pastrohen rrënojat, mund të kemi një ide më të saktë se sa mijëra gazanë kanë vdekur në fushatën izraelite.
Të uritur dhe të pastrehë, njerëzit atje janë të dëshpëruar për një armëpushim. Ndoshta Netanyahu ra dakord mbi një marrëveshje të tillë, sepse Witkoff premtoi se do të ishte në gjendje të kthente forcat izraelite në Gaza nëse do të ishte e nevojshme. Një klauzolë të ngjashme ka edhe armëpushimit me Hezbollahun në Liban.
Por edhe pse Hamasi është dëmtuar rëndë dhe është vrarë lideri i tij Yahya Sinwar – arkitekti i masakrës së 7 tetorit – Netanyahu nuk e ka përmbushur ene premtimin e tij për ta “çrrënjosur” atë dhe për të vazhduar luftën ”deri në fitoren e plotë”. Hamasi mbetet mjaftueshëm i fortë për të qenë pala me të cilën Izraeli duhet të negociojë lirimin e pengjeve.
Është ende e paqartë se kush duhet të sundojë Gazën pasi të largohet Izraeli. Pa këtë zgjidhje politike, Hamasi ose një pasardhës më radikal, nuk do ta ketë problem të gjejë të rinj të vendosur për hakmarrje kundër Izraelit. Sepse Gaza ka shumë jetimë. Për momentin, Netanyahu mund t’u thotë të djathtëve në kabinetin e tij se fajtori për ndalimin e fushatës është Trump.
Por Ministri i Sigurisë, Itamar Ben-Gvir, ka kërcënuar me dorëheqje, duke e quajtur paktin si “kapitullim të Izraelit ndaj Hamasit”. Ndoshta Netanyahu mund t’i mbijetojë largimit të Ben-Gvir. Por Bibi do të duhet të përballet edhe me një hetim për të gjitha dështimet që çuan tek masakra e 7 tetorit 2023.
Ndërkaq do të rinisë edhe gjyqi ndaj tij për akuzat për korrupsion. Kritikët e akuzojnë se dëshiron një luftë tjetër për të qëndruar në detyrë dhe për të dalë nga burgu. Objektivi tjetër është Irani. Basti i Netanyahut për shkatërrimin e Hezbollahut në Liban pati vështirësitë e veta, megjithatë e la Teheranin pa “parandaluesin e tij strategjik”.
Tani disa kanë frikë se Irani tani mund të nxitojë të prodhojë një bombë bërthamore, dhe ta vendosë atë në një nga raketat e tij hipersonike. Benjamin Netanyahu ka shpenzuar dekada të tëra duke thënë se duhet të ndalet një “holokaust fluturues”.
Pas vitesh luftë të fshehtë përmes vrasjeve dhe sabotimeve, kjo mund të nënkuptojë bombardimin e industrisë së naftës të Iranit, të objekteve të tij bërthamore, ose të dyja bashkë.
Për ta arritur këtë Netanyahu do të ketë nevojë për mbështetjen e Trump.
Presidenti i ri i SHBA-së është një njeri shumë i ndryshëm nga Jimmy Carter, që ishte i kujdesshëm dhe i devotshëm ndaj parimeve. Sa larg do të shkonte Donald Trump në një luftë kundër Iranit përkrah Izraelit? Apo ai imagjinon të fitojë çmimin Nobel për paqen për gjetjen e një zgjidhje të konflikteve në Lindjen e Mesme, dhe për arritjen e një marrëveshje të re bërthamore me Iranin? Pak a shumë si Obama!
Thuhet se i dërguari i tij Witkoff, e sheh gjeopolitikën në rajon si “një marrëveshje gjigante të pasurive të paluajtshme”, dhe ka shumë të ngjarë që Trump të mendojë në të njëjtën mënyrë. Megjithatë, marrëveshja mbi lirimin e pengjeve dhe të burgosurve, nuk do të thotë se paqja është e sigurt në Lindjen e Mesme.
Shënim: Paul Wood korrespondent i BBC-së për 25 vjet, në Beograd, Athinë, Kajro, Jerusalem, Kabul dhe Uashington. “The Spectator”