Sunday, October 13, 2024
spot_img

Kronika e mbijetesës apo Kronika e një kohe të egër!

Nexhat Rexha

Ditari i një periudhe kohore bartë në vete kronikën e jetës, me të cilën njeriu bashkëjeton me ditët e netët e atyre kohëve. Në këtë korrelacion ngjarjesh e përjetimesh Sabri Morina, ka shënuar këto peripeci, të cilat janë pjesë të dalluara të atyre viteve të represionit psikik e fizik në jetën e tij dhe të kolektivit ku ai punoi e veproi, por edhe një imazh i qartë, i shoqërisë shqiptare nën represionin e përgjithshëm serb. Në  faqet e librit “Drama e mbijetesës”, shtjellohen ngjarje reale, të cilat i kemi kaluar nëpër vorbullën e atyre viteve. Në këtë kontekst kohor, ditari ruan, inserte e ngjarje me pamje nga më të ndryshmet, të cilat pasqyrojnë e ruajnë autenticitetin e realizuar në optikën e përjetimit sa më real, duke i dhënë përditshmërisë objektivitetin sa kompleks, po aq edhe determinues në atë që ka përjetuar autori i atyre ngjarjeve.

Periudhat e trajtueshmërisë së këtyre të ndodhurave e përjetimeve të Sabri Morinës, janë reale dhe ato komunikojnë me faktorizim në arealin e njohur të quajtur diktaturë serbe, që vepron e hermetizon ide e ngjarje përparimtare, sidomos të popullatës shqiptare në sistemin jugosllav (kupto më shumë sistemin sundues serb) në Kosovë.

Në librin “Drama e mbijetesës”, të Sabri Morinës, lexuesi i vëmendshëm, arrin në njohje, nga afërsia e të ndodhurave në kolektivin e gjimnazit “9 Maji”, tani “Ismail Qemali” në Kamenicë, institucioni më i lartë arsimor në nivel komunal. Duke qenë gjithnjë në mbikëqyrje të faktorit politik shtypës dhe atij të sigurimit shtetëror. Brenda këtyre shtjellimeve, autori ka përshkruar gjendjen reale, e cila ka dominuar në ditët më të rënda të kësaj kohe, ashtu siç janë paraqitur në ditarin e tij. Ngjarjet kanë një kronologji shumë dimensionale, sepse ato janë shkruar kryesisht në përfundim të një dite, duke ruajtur çdo imtësi të rrjedhës së minutave e orëve brenda një dite.

Protagonistët e përmendur në ditarin e Sabri Morinës, janë persona real, dhe vetëm pak prej tyre nuk janë më në mesin tonë. Në disa raste autori ka përdorur vetëm inicialet për disa persona me qëndrime negative, në kolektivin ku ai ka punuar. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ngjarjet kanë pësuar ndryshime, ato ruajnë autenticitetin e tyre dhe i japin orientimin e nevojshëm zhvillimit shoqëror në trevën e Kamenicës e më gjerë.

Zhvillimet e reja demokratike në Evropë e Kosovë

Proceset politike që nga Greva e Minatorëve dhe nga shembja e Murit të Berlinit në vitin 1989, janë pamje dhe determinime të reja në skenën politike evropiane. Këto ngjarje artikulojnë frymën demokratike, përparimtare në kthim të origjinës si, në: Gjermani, Poloni e gjetiu dhe  shtimit të represionit në Kosovë, e në kolektivin ku punoi autori i këtyre shënimeve.

Ndërrimet Kushtetuese me emisarët e politikës së asaj kohe, në gjimnazin e Kamenicës nuk morën miratimin e dhunshëm të amendamenteve që merrnin (suprimuan) autonominë e Kosovës.

Profesorët shqiptarë e mbrojtën me dinjitet mendimin e tyre dhe arritën thuaja unitet të plotë, të gjithë ishin të një fjale se Kosovës po i merren të drejtat e saja autonome. Pastaj, grevat e Minatorëve u manifestuan edhe në gjimnazin “9 Maji”, nga mësimdhënësit shqiptarë dhe me solidarizimin e të gjithë nxënësve, nga mbarimi i mësimit të ndërrimit të dytë deri në orët e vona të natës. Pastaj presioni dhe trysnitë e organeve komunale të pushtetit të asaj kohe, mbi mësimdhënësit për shumë çështje, që kërkonin zgjidhjen e ngjarjeve në kolektivin e kësaj vatre të diturisë. Politika serbe, gjithnjë vepronte dhunshëm me rolin e saj në institucionin arsimor, duke e quajtur “Universiteti i irredentës” në Kamenicë. Kuptohet, gjithë ky mllef ishte kundër kuadrove shqiptare, sepse suksesi i nxënësve dhe motivimi edukativ i mësimdhënësve me rriten e nxënësve shqiptarë e pengonte politikën aktuale të Kamenicës e Kosovës.

Po kështu, më 19 shkurt 1990, kur nxënësit shqiptarë të dy ndërrimeve, organizuan vizitë homazhi për të vrarin Islam Morina, nga policia serbe, atë ditë shkolla u rrethua nga policia serbe me armë dhe autoblinda, i vetmi rast në Kosovë. Që vijoi me dhunë fizike e psikike me arrestimin e dhjetëra nxënësve dhe rrahjen e tyre rrugës dhe në stacion. Kjo ngjarje mban vulën e dëshmisë, se sa kishim arritur t’i prishnim punë, një sistemi diktatorial e okupator, duke u kthyer për një moment, në qendër të vëmendjes së pushtetit qendror! Të gjitha këto si dhe shumë e shumë ngjarje të tjera që pasuan, si helmimi i nxënësve shqiptarë në ndërrimin e pasdites, u përjetësuan në Ditarin e Sabriut, pjesë e të cilit jam, si dëshmitar dhe pjesëmarrës aktiv në ato vite rezistence. Të gjitha ato janë përjetime e saktësime reale që komunikojnë në shpalimin e programeve të politikës së dhunshme serbe, qartësojnë se kjo ishte vërtetë “Drama e mbijetesës”, në të cilën Sabri Morina, i jep artikulimin e shtrirjes së përhershme, për të mos u mbuluar nga pluhuri i harresës.

   Komunikimi me kolegët e punës dhe qytetarët për rrjedhat e reja demokratike

Trajtim të veçantë e me theksime të dalluara, janë edhe ngjarjet e takimet me kolegë të gjimnazit, sepse të gjithë flisnin me një mendim e pikëtakim të përbashkët, si ta mundin kohën diktaturë të politikës serbe.

Autori ka përpunuar e ruajtur me kujdes këtë imazh, si dëshmi e faktografi se “Drama e mbijetesës”, e ka të shënuar në mënyrë objektive këtë realitet filozofik me të gjitha ato skena e përjetime të atyre ditëve, që bartnin mbi kurrizin e tyre njerëzit e atyre kohëve. Të gjitha ngjarjet në optikën e shikimit i kishin vënë veprimet e profesorëve të gjimnazit të Kamenicës, dhe çdo fjalë që dëgjohej e shkruhej në gazetën “Rilindja” përmes korrespondentit të saj në Kamenicë, z. Daut Maliqi, depërtonte në shtëpitë e qytetarëve të kësaj treve, sepse aty publikohej ndërgjegjja e mendimit të kësaj shtrese intelektuale. Në gjimnaz shpërndahej e lexohej edhe gazeta “Alternativa” e shqiptarëve, që botohej në Lubjanë, e cila përfaqësonte fjalën e lirë ndër shqiptarët e asaj kohe.

Sabri Morina në “Drama e mbijetesës”, paraqet edhe solidaritetin e qytetarëve me ngjarjet që rrjedhin njëra pas tjetrës.

Vullneti i njerëzve dhe objektivat e proceseve të reja demokratike, domosdo i kanë edhe protagonistët e asaj kohe. Këto objektiva ruanin, bartnin qëndresën dhe shtonin vullnetin te njerëzit e shtresave të gjera popullore. Ngjarjet tjera vinin me kërkesat e tjera, si me: Pajtimet e Gjaqeve, deri te formimi i partive politike në Kosovë e në komunën e Kamenicës. Të gjitha këto frymëmarrje shtegtojnë bashkë me njerëzit e asaj kohe, si të këtilla ato të japin përjetimin e konsiderueshëm në ditarin kronikë të Sabri Morinës. Protagonistët e këtij institucioni bartnin veprimet e mesazhet edhe me profesorin e gjuhës frënge, Nazif Matoshin, njëri ndër protagonistët e delegatët në Kuvendin e Kosovës, të Deklaratës së 2 Korrikut dhe 7 Shtatorit të vitit 1990 të miratimit të Kushtetutës së Republikës në Kuvendin historik të Kaçanikut.

Libri, kronikë e një kohe të egër, ruan e freskon memorien e një periudhe historike, duke pasqyruar ngjarje, skena nga më të këqijat që ka mundur të prodhojë diktatura e politika serbe në Kosovë, deri në ditët më të rënda të Luftës në Kosovën e vitit 1999.

Autori i librit Sabri Morina ka pasuruar, fondin e kujtesës, e të ardhmes për njeriun e kësaj treve e më gjerë, për t’i dhënë jetë historisë se re të Kosovës.

Brenda kopërtinave të librit, ai pasqyron edhe shumë ngjarje e skena që kanë ndodhur në këtë periudhë kohore, të cilat janë të shënuara me saktësi në data si dhe me një galeri të protagonistëve, të cilët janë autentik dhe bashkëveprues në këto procese të ditëve ndër më të rëndat në historinë e kësaj periudhe kohore. Libri “Drama e mbijetesës” është një muze i veçantë i kësaj periudhe kohore, jo vetëm për qytetarët e kësaj treve, ajo në vete ka depërtime e shtrirje edhe më të gjera.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit