spot_img
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Shtatë pacientë me Covid në Klinikën Infektive

Në Klinikën Infektive në Shërbimin Spitalor Universitar të Kosovës, aktualisht janë duke u trajtuar 7 pacientë me Covid-19, 3 prej të cilëve me oksigjeno-terapi, përderisa njëri është në mjekim intensiv.

“Covid 19 është një sëmundje e cila tashmë është e pranishme si sëmundje e rëndomtë në popullatën e vendit tonë. Nuk është më emergjencë e madhe , nuk është më një situatë e tillë kur duhet të merren masa strikte izoluese, por herë pas here, në mënyrë sporadike paraqitet. Tashmë në Klinikën Infektive kemi diku 7 pacient të cilët janë të spitalizuar, 3 nga ta janë me oksigjeno-terapi. E kemi një pacient i cili është duke u trajtuar në mjekimin intenziv, i cili është në gjendje klinike më të rëndë”, ka theksuar Arben Vishaj, drejtor i Klinikës Infektive.

Pacientët e hospitalizuar janë të moshave të shtyra, të cilët kanë edhe sëmundje kronike.

“Zakonisht, tashmë kërkesë për hospitalizim kemi te pacientët të cilët janë në moshën e tretë, pra mbi moshën 60 vjeçare. Vetëm në disa raste sporadike kemi pasur mosha më të reja, por dominojnë moshat e shtyra dhe dominojnë pacientët të cilët kanë sëmundje tjera të rënda kronike, siç janë pacientët me problemet me veshkët, konkretisht ata të cilët janë në hemodializë, pacientët me probleme të rënda të mushkërive, pacientët kardiak me probleme të mëdha në zemër, pacientët me sëmundje hepatale etj”, ka shtuar ai.

Vishaj shtoi se ditëve në vazhdim është e mundur të ketë rritje të lehtë të numrit të të prekurve me Covid.

“Ditët në vijim presim ardhjen e një fluksi pak më të madh të pacientëve për t’u spitalizuar por jo numër aq i madh sa që mos të kemi kapacitete t’i përballojmë. Është e mundur që të kemi rritje sado të lehtë të numrit të pacientëve për spitalizim sepse tash jemi në periudhën ku popullata jonë rritet si pasojë e ardhjes nga shumë vende të ndryshme të Evropës, ku kemi raportime se edhe në vende të tjera Evropës ka prani të infeksionit dhe është e mundur të vijë deri te rritja e numrit por shpresojmë që të mos ndodh që të kemi ndonjë fluks më të madh”, ka theksuar Vishaj.

Ai ka thënë se tani për tani paraqitet një situatë epidemiologjike e qetë por, sipas tij, qytetarët gjithmonë duhet të kenë një vigjilencë më të shtuar.

“Në qoftë se kanë manifestime sikur që është kolla, temperaturë, rrjedhje nga hundët, një gjendje sikurse është gjendja gripoze, qytetarët nuk duhet të frekuentojnë zonat e mbyllura sepse në të kundërtën rrezikojnë ta përhapin infeksionin edhe tek personat tjerë të cilët janë të painfektuar”, ka shtuar ai.

Sipas Vishajt, çdo qytetar që ka simptoma të Covidit, duhet të konsultohet me mjekët në qendrat e mjekësisë familjare, dhe nëse situata është më delikate, atëherë detyrimisht të kërkojnë ndihmë në Klinikën Infektive.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit