spot_img
spot_img
Wednesday, January 22, 2025
spot_img
spot_img

Serbia si Siria: A do ta ketë edhe Presidenti Vuçiq fatin e Bashar Al Assad

Shkruar nga Fadil Lepaja

Po e filloj këtë shkrim me një nga fjalimet e (jashtë)zakonshme të presidentit serb; ku ai, plot modesti, shpaloset si shërbyes i popullit dhe shtetit. Edhe pse modest, ai nuk sheh tjetër të ngjashëm me të, në politikën vendore. Janë vetëm ai dhe Serbia. Edhe populli, me po këtë renditje për nga rëndësia. Populli e kupton situatën. E vlerëson sakrificën. (Nuk) do të iki, Presidenti Vuçiç?

Presidenti serb është këmbëngulës. Nëse thotë se nuk shkon, dihet! Por…edhe nëse shkon, e bën pasi ta kenë lutur shumë. Populli e kupton, edhe ai popullin. 

spot_img

“Nuk shkoj dhe nuk do të shkoj si president për t’u justifikuar para askujt. Presidentët e tjerë kur vinin (në Skupshtinë), ata recitonin llafet e tyre dhe largoheshin.. Unë jam i vetmi që marr pjesë në debat, jam i gatshëm të jem atje dy, tre ditë, sa të zgjasë debati. Nga 10, 12, 15 orë në parlament dhe të mos dal. Shpresoj se do të mund të qëndroj… Jam pak më i lodhur dhe më i vjetër se herët e tjera,” – pat thënë para seancës së Skupshtinës (Kuvendit) serbe, në shkurt të vitit 2023. Tema: zhvillimet në Kosovë (Edhe Metohi, si e quajnë në Serbi).

Çfarë ndodhi herën e kaluar, për këtë do të flasim në fund. Me këtë edhe do të mbyllim këtë shkrim. Kjo ishte vetëm hyrja, e cila e përshkruan me saktësi mënyrën e komunikimit të Presidentit serb me veten dhe me popullin, drejtpërdrejt.

Edhe tani, kur opozita përmend skenarin e mundshëm Sirian për Serbinë dhe ja ndjellin fatin e presidentit Assad, Ai e mohon çdo ngjashmëri mes Sirisë dhe Serbisë, mes Assadit dhe Atij. Edhe miqësinë me presidentin rus nuk e thekson më.

“Nëse keni menduar se jam sikur Assad dhe do të iki, nuk jam. Nuk do të iki!”. Kështu i drejtohet dikujt, pa adresë, në profilin e tij në Instagram. Përgjithësisht, deklarimet publike të Presidentit serb ngjajnë me një grindje kurrë të përfunduar me të gjithë, të cilët nuk e vlerësojnë sakrificën e tij të madhe për popullin serb dhe Serbinë. Të gjithë e dinë tashmë se ai përpos se fle pak, rri deri në mesnatë në zyrë. Praktikisht ai nuk shkon në shtëpi.

Me një rast, siç shkruanin mediat serbe pro regjimit, ai për dhjetë orë rresht kishte qëndruar në karrigen e tij në Skupshtinë, duke dëgjuar debatet pa bërë as pauzën më të vogël, madje as për në tualet. Kjo pastaj u bë masë me të cilën matej përkushtimi i zyrtarëve të lartë të shtetit. Deputetët bënin garë se kush qëndron më shumë pa ikur në tualet. Kjo tregonte edhe përkushtimin e tyre për Kosovën, kombin.

“Nuk do të arrini ta bëni këtë,” u drejtohet ai, sërish armiqve të padukshëm, por shihet qartë se po flet për vende dhe armiq shumë të pasur dhe të fuqishëm të cilët paskan investuar shumë para për ta rrënuar Serbinë nga brenda dhe për ta rrëzuar atë nga pushteti. Bie ai, bie edhe Serbia.

Presidenti serb me statuse grindet me opozitën serbe dhe përpiqet ta bindë se nuk e ka frikë. Ai dhe Serbia në njërën anë dhe populli në tjetrën. Rezultati dihet.

Në rregull, të krahasojmë pak Serbinë me Sirinë. Serbia është në Evropë dhe do të jetë në Evro-Azi, ndërkohë që Siria është në Azi por qartazi do të jetë në Evropë, pasi pjesa më e madhe e popullit ja ka mësy këndej, duke ikur nga shteti/parajsa që u ofrohet nga ushtritë e shumta të zotit, apo të djallit, sido që ta marrësh.

Pastaj ka dallime të tjera Serbia nga Siria. Serbia nuk ka baza ruse, as detare, as aeroporte, sepse Serbia nuk ka det. Aeroplanmbajtëset e mëdha nuk hyjnë dot në Danub.  Kishte ca debate në qendrën e Ministrisë ruse për Menaxhimin e Emergjencave, në Nish. Është bazë, nuk është bazë, është qendër spiunazhi, apo nuk është? Pra, ka ngjashmëri, ka edhe dallime. Pavarësisht zhvillimeve, në Siri, me shumë gjasë, Presidenti serb do ta mbajë mirë edhe me udhëheqjen e re siriane.

Pra, Vuçiç nuk do të tërhiqet lehtë. Ai do të qëndrojë me këmbëngulje para protestuesve, para parlamentarëve, para gjithkujt, duke trimëruar veten se ka popullin prapa, kështu do qëndrojë derisa të mundet edhe pse siç e tha edhe vet më lartë, “ndoshta jo aq gjatë sa herën e kaluar”.

Të sqarojmë pak, këtë. Pra hera e kaluar ishte viti 2022, kur gjatë seancës së shtatorit, Presidenti kishte qëndruar gjithsej 25 orë në sallën e Skupshtinës, gjatë një seance dy-ditore për Kosovën (dhe Metohinë, si thonë mediat serbe), pa bërë asnjë pauzë. E sqaruam këtë punë: Askush, së paku në skenën politike serbe, nuk e mban sa presidenti serb…

Megjithatë, siç raportojnë mediat serbe, në një moment dukej sikur presidenti do të dorëzohej, dukej se i ishte keqësuar gjendja, dhe kjo shihej në transmetimin e drejtpërdrejtë. I tërë kombi serb ishte në merak për prostatën e Presidentit. Opozita mbante frymën. Do të shkojë apo jo Presidenti? Ku?

Serbia edhe mund të përfundojë si Siria, nëse Prsidenti serb nuk reflekton, por kur jemi te ngjashmëria me Assadin, …  kuptojeni, Ai nuk e mbajti … më, dot!

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit