Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHP) ka njoftuar këtë të mërkurë se është konfirmuar rasti i parë i infeksionit me virusin e Nilit në Kosovë.
IKSHP-ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes ndaj mushkonjave pasi që sipas tyre ato janë bartëse kryesore të virusit.
Lidhur me simptomat dhe parandalimin e infektimit të virusit të Nilit ka dhënë detaje infektologu Hamdi Ramadani.
Ai tha se simptomat janë të përafërta me gripin ose me COVID-19.
Ai thotë se fillon me temperaturë e dhimbje koke.
Shërimi nga ky virus sipas infektlogut Ramadani mund të zgjat deri në pesë ditë
“Simptomat janë pothuajse të njëjta me gripin ose edhe me COVID dominon një temperaturë nga 38-39 ku mund të zgjasë deri në 10 ditë, dhimbjet e kokës janë të mëdha dhe të padurueshme pastaj nyje, lodhje fizike dhe janë të pafuqishëm për të punuar, dhe më vonë shfaqët një skuqje e lëkurës. Nëse vazhdohet me këto simptoma mund të shërohet për 4,5 ditë”, thotë ai.
Ramadani thotë se simptomat e mëdha rrezikojnë shëndetin e pacientit.
“Janë edhe format e rënda të sëmundjes ku manifestohet me probleme neurologjike me humbje të vetëdijes, marrje të mendjes e të vjella ose me shenja të paralizës së muskujve”, u shpreh ai.
Këto janë dy kategoritë që paraqesin rrezik më të madh të prekjes së virusit, thotë Ramadani.
“Çdo moshë e rrezikuar është por moshat e shtyra janë pak më shumë dhe ata pacient që kanë sëmundje të llojllojshme. Duhet të kemi kujdes nga vendet që janë mushkonjat, përdorimi i kremave”, përfundoi ai.
Ramadani theksoi se ka qenë e pritshme që ky virus të paraqitët në Kosova pasi në shumë vende të Evropës ka qenë aktiv.
“Në muajt e kaluar ka qenë mjaft e pranishme në Evropë ky virus tani arriti edhe në Kosovë, në disa vende janë regjistruar edhe raste të vdekjes nga ky virus. Ka qenë e pritshme që vendi të ballafaqohet me këtë sëmundje”, u shpreh ai.
Infektologu kosovar ka paralajmëruar se në javët në vazhdim mund të rritën rastet me ‘ethet e Nilit’.
Ai ka treguar se si mund ta dijë pacienti që është prekur nga infeksioni.
“Javët në vijim mund të shtohen rastet me ethet e Nilit, kjo paraqitët në vendet që temperaturat janë të larta. Mushkonjat infektuese janë bartës të sëmundjes personi nëse preket nga mushkonjat atakohet me infeksion. Sëmundja mund të paraqitet në forma të ndryshme, 80% e sëmundjes kalohet në formë të lehtë dhe vetëm një detektim laboratorik specifik mund ta verifikojë sëmundjen”, përfundoi ai.
Virusi i Nilit transmetohet kryesisht nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Kjo sëmundje mund të parandalohet me masat që njihen për mbrojtje nga mushkonjat.