Eksperti i çështjeve të sigurisë në Kosovë, Bedri Elezi, ka komentuar sulmin me granatë ndaj Komunës së Zveçanit, duke theksuar se ky akt dhune reflekton situatën e tensionuar në Veriun e Mitrovicës.
Elezi ka shprehur shqetësimin e tij për zhvillimet e fundit dhe ka vlerësuar si pozitive përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të përmirësuar sigurinë, por ka paralajmëruar se ende ka rreziqe të tjera që mund të shkaktojnë destabilizim.
“Ju e dini që edhe ditë më parë ne kemi ngritur shqetësimet tona në lidhje me situatën e sigurisë në Veriun e Mitrovicës dhe posqararisht të afatit kohor kur ne po shkojmë drejt organizimit të zgjedhjeve,” ka thënë Elezi.
Ai ka theksuar se ndonëse ka pasur përpjekje për të rritur kapacitetet e Policisë së Kosovës, siç janë ndërtimi i stacioneve policore.
Elezi ka bërë një paralelizëm me veprimet e fundit të serbëve në veri, duke thënë se ka shqetësime të vazhdueshme në lidhje me organizimin e zgjedhjeve në këtë pjesë të Kosovës. “Policia e Kosovës në vazhdimësi ka thënë se tashmë janë krijuar kushtet që të kemi siguri të plotë, por ka veprime që tregojnë se serbët janë aktiv në sulme të dhunshme,” ka shtuar ai.
Sipas tij, ka rrezik që serbët të tentojnë të pengojnë organizimin e zgjedhjeve, duke e mbajtur situatën të brishtë.
“Ne kemi akoma shqetësimet tona lidhur me organizimin e zgjedhjeve në atë pjesë, nëse serbët do të tentojnë që të mos marrin pjesë apo të mos lejojnë mbajtjen e tyre,”tha Elezi, duke paralajmëruar për mundësinë e organizimit të protestave që mund të eskalojnë në dhunë, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Elezi ka theksuar se këto veprime mund të kenë për qëllim destabilizimin e situatës në Veri dhe mund të çojnë në një rritje të tensioneve, duke e bërë më të vështirë mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të drejta.