Si u prit 28 nëntori i vitit 1998 brenda shtabit të logjistikës së UÇK-së në Landovicë? Kush e kërkoi flamurin kombëtar dhe si e pret sot këtë festë pa shokun e luftës, rrëfen për tëvë1 ish ushtari Kujtim Morina.
Flamuri valon pranë kullës ku dikur shërbeu si shtab i logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E ngjitur saj qëndron pllaka përkujtimore e të rënëve për çlirimin e atdheut.
Për të nderuar qëndresën dhe sakrificën e tyre erdhi ish ushtari i UÇK-së, Kujtim Morina.
Në shtëpinë e rezistencës në Landovicë, ai po hyn edhe këtë nëntor.
“Qitu i kemi pasë ushtrinë ngat, vijë ajrore s’është as 50 metra, qitu i kemi pasë serbët, po na frikë s’kemi pasë”, ka deklaruar ish ushtari i UÇK-së, Kujtim Morina.
Ndërsa kujton shokun e humbur në luftë, Eshim Gashin.
“Ma shumë nuk kam fjet se që kam fjet gjatë luftës se kam qenë i vetëm në familje, i kam pasë gjashtë fëmijë. Edhe unë bëhesha nervoz me Eshimin se kur nuk më merrnin në ndonjë aksion, i thosha pse s’më morët, ma bënte, trus aty se i vetëm je, të dalim fare na e pastaj ti vjen pas neve”, tha Morina.
Por 28 nëntori i vitit 1998 për depoistin e armëve të njësisë së Landovicës ishte i veçantë.
“Me 28 nëntor te shpia jem kemi shku, Eshimi e ka lypë një flamur e ja kemi çu flamurin, bashkarisht kemi bo foto n’shpi teme edhe kemi ardhë në këtë odë ku jemi sot e kemi shtru”, tha ai.
E nga ajo kohë i mbeti kujtim kjo fotografi.
Por bashkë me të, të tjera kujtime për shokun e luftës.
“Për një kasetë që i pat mbetë në Mercedes, ka dalë me rreziku veten me u vra për me marrë qat kasetë, pse se thojke e marrin serbët bëjnë hajgare e i mashtrojnë njerëzit”, ka deklaruar ai.
E që nga humbja e shokëve, Kujtimi nuk e gëzon njëjtë 28 nëntorin.
“Tash po kemi pak mungesë, për 28 nëntor nuk e kemi atë kënaqësinë se na mungojnë shumë djem që na u kanë vra, n’luftë na u kanë vra”, ka pohuar ai.
Për lirinë e Kosovës dhanë jetën dhjetëra banorë të fshatit Landovicë.