Nga Haxhi Geci
Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) u shfaq publikisht për herë të parë më 28 nëntor 1997, në fshatin tonë, Llaushë.
Gjatë ceremonisë mortore, e cila ishte organizuar për varrimin e mësuesit Halit Geci, i vrarë në shkollën e fshatit nga forcat serbe, në varrim ishin tubuar një numër i madh qytetarësh nga të gjitha anët e Kosovës.
Faktorët kryesorë që çuan në daljen e UÇK-së në skenë ishin: shtypja nga regjimi serb, marrja e autonomisë, ndalimi i shkollave dhe fakulteteve, vrasja e ushtarëve shqiptarë nëpër kazermat jugosllave, helmimi i nxënësve dhe largimi nga puna i të gjithë atyre që nuk pranuan heqjen e autonomisë. Me një fjalë, lëvizja paqësore e udhëhequr nga Ibrahim Rugova ishte e pamjaftueshme për të shtyrë proceset përpara.
Kështu, lindi nevoja për një qëndresë të armatosur, pasi paqja nuk po jepte rezultate dhe Serbia nuk njihte gjuhën e paqes. Synimi i saj ishte të nënshtronte dhe gllabëronte edhe këtë pak tokë të Kosovës që kishte mbetur.
Në këto rrethana lindi nevoja për një rezistencë të armatosur.
Për këtë situatë ishin kujdesur institucionet e asaj kohe të LDK-së. Vlen të theksohet se në atë kohë Presidenti Rugova, pas zgjedhjeve të vitit 1992, bëri emërimin e qeverisë në ekzil, ndërsa dy ministri u caktuan të veprojnë brenda Kosovës. Për ministër të Punëve të Brendshme u caktua Rexhep Gjergji, ndërsa për ministër të Mbrojtjes Anton Kola.
Anton Kola autorizoi Sali Çekun, si personin më besnik, të shërbente si kontaktues për mërgatën. Nga ky moment, Sali Çeku vazhdoi punën me bërthamën e parë të UÇK-së, duke organizuar mobilizimin dhe ushtrimet ushtarake në Shqipëri.
Në Drenicë ai kontaktoi me Adem Jasharin. Ademi mori me vete njerëz të besuar, mes të cilëve ishte edhe kryetari i Forumit Rinor të LDK-së, dega në Skenderaj, Adem Dërguti. Në Dukagjin, djemve për stërvitje u printe vetë Sali Çeku, ndërsa në Llapë, Zahir Pajaziti.
Që nga ajo kohë e deri më sot, ata kanë qenë dhe kanë mbetur bërthama e UÇK-së.
Prandaj, dalja e një force të rebeluar për ta mbrojtur të drejtën për liri, ashtu si të gjithë popujt e tjerë të lirë, ishte e domosdoshme.
Pas ushtrimeve në Shqipëri, Ademi kthehet i armatosur dhe vazhdon luftën me njësitë e tij guerile, së bashku me Ademin, Hamzën ishum dhe ne vëllezërit Geci.
Në këtë rreth përfshiheshin edhe dajallarët e tij të afërt: Osman Geci, Jetullah Geci dhe Sylejman Selimi, një djalë i ri, i urtë dhe energjik.
Ademi kishte nisur përgatitjet për luftë shumë vite përpara se të shfaqeshin formacionet e disa individëve të LPK-së. Adem Jashari dhe rrethi i tij i ngushtë, përfshirë dajallarët e Llaushës, sidomos vëllezërit Geci, Osman Geci, Jetullah Geci dhe Sylejman Selimi, ishin pjesë e bërthamës së rezistencës.
Sulmin e parë në Kosovë e kreu njësiti gueril i Llaushës, me urdhrin e komandantit legjendar Adem Jashari. Në këtë sulm ndaj policisë serbe në qendër të Skenderajt, e realizoj vëllai ynë, Gani Geci, së bashku me dy kushërinj Agim dhe Xhevahir Gecin. Si rezultat i këtij sulmi, mbeti i vrarë një polic serb dhe u plagosën dy të tjerë.
Komandanti legjendar Adem Jashari, që në vitet ’90, kishte zgjeruar rrethin e guerilës. Në Llap dhe Dukagjin, guerilja e Llapit udhëhiqej nga Zahir Pajaziti, ndërsa ajo e Dukagjinit nga Sali Çeku. Me kalimin e kohës, guerilja vazhdoi të zgjerohej. Në organizim u përfshinë edhe vëllezërit Haradinaj në Dukagjin.
Durimit i kishte ardhur fundi. Njësitet guerile të Dukagjinit, të prira nga Sali Çeku, dhe ato të Llapit, të udhëhequra nga Zahir Pajaziti, veçse kryenin aksione, edhe pse në mënyrë të fshehtë. Megjithatë, kishte ardhur koha që UÇK-ja të dilte hapur dhe t’i tregonte botës se Kosova nuk ishte pa zot.
Rasti më i volitshëm për daljen publike të UÇK-së ishte ceremonia e varrimit të mësuesit Halit Geci, ku kishte një masë të madhe pjesëmarrësish. Pikërisht kjo ishte arsyeja e daljes së saj në skenë, për t’i treguar botës se Kosova nuk duronte më vuajtje, vrasje dhe robëri.
Atë ditë, nga Prishtina mbërriti një delegacion i institucioneve të asaj kohe, i prirë nga Fatmir Sejdiu dhe Rexhep Gjergji. Pritej ceremonia e varrimit.
Unë Haxhi Geci isha njëri nga shtyllat kryesore të asaj kohe se bashku me vëllezërit dhe shokët, kryetar fshati dhe kryetar i nëndegës së LDK-së në Llaushë dhe jam vëllau i tretë nga shtatë vëllezërit Geci.
Unë në atë kohë konsideroheja një figurë kyçe në vendimet që merreshin në rrethin familjar dhe shoqëror. Asokohe, asgjë nuk bëhej pa miratimin tonë dhe te bashkëfshatarëve. Unë dhe vëllezërit e tjerë ishim ndër gueriljet e para që pas Ademit dhe Hamzës, rrokëm armët dhe kryem aksione kundër policisë serbe.
Gjithmonë vepronin në koordinim me Ademin dhe Prishtinën zyrtare të asaj kohe, e cila udhëhiqej nga LDK-ja dhe Presidenti Ibrahim Rugova.
Mu kjo ishte arsyeja pse LPK-ja dhe disa qarqe të polarizuara donin t’i zhduknin vëllezërit Geci përmes komunikatës famëkeqe nr. 59, ashtu siç u veprua me familjen e Shaban Jasharit. Këta të fundit u anashkaluan, iu ndalua armatimi dhe u spiunuan përmes të rekrutuarit të UDB-së, polarit të madh, Gani Thaçit, vëllait të Hashim Thaçit, me qëllim që të mos kishin ndikim në rrethin e tyre dhe që këto struktura të luanin sipas interesave të veta.
Unë isha ndër të parët që doli me maskë nga shtëpia e Shani Gecit së bashku me Sylejman Selimin, Jetullah Gecin, për të ndaluar disa hajna dhe matrapazë që plaçkitnin popullin në emër të UÇK-së. Prandaj, asgjë nuk kalohej pa dijeninë dhe pëlqimin tonë.
Unë, në bashkëkoordinim me degën e LDK-së të Skënderajt, stafin e shkollës, si dhe vëllezërit e tjerë, bashkëfshatarët e fshatit, kemi marrë mbi supe organizimin e ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit, i cili ishte vrarë më 26 nëntor.
Derisa u bë autopsia e trupit të ndjerë të mësuesit, vendosëm që varrimi të bëhej më 28 nëntor.
Nisja e konfliktit me policinë serbe ndodhi më 25 nëntor, kur një makinë “Niva,” që dyshohej të ishte e policisë serbe, shkoi në fshatin Vojnikë, si pjesë e rutinës së kohëpaskohshme që bënte policia. Abedin Rexha qëlloi drejt makinës “Niva,” duke dyshuar se ishte e policisë. Duke supozuar se ajo vërtet i përkiste policisë, ata u kthyen në Skënderaj.
Po atë ditë, më 25 nëntor, pas sulmit ndaj “Nivës,” pasdite një autoblindë serbe shkoi për vëzhgim në drejtim të Turiçevcit. Unë në ato momente isha në varrimin e një bashkëfshatari nga Llausha, nga lagjja Vojvoda, Adem Vojvoda. Lash varrimin dhe nisa për të vëzhguar situatën, duke shkuar drejt Vojnikut.
Vlen të theksohet se nga autoblinda serbe u plagos një fëmijë i pafajshëm i fshatit. Unë, së bashku me kushëririn Haxhi Hajdinin dhe Rexhep Demën shkuam te shtëpia e Abedin Rexhës. Aty gjetëm Sylejman Selimin, Jetullah Gecin, Sejdi Gecin dhe Sabit Gecin. Pikërisht në odën e Abedin Rexhës, të gjithë së bashku morëm vendimin për t’u tërhequr nga Vojniku dhe për të kaluar në Açarevë, te Sylejman Selimi.
Kështu nga Vojniku u ktheva në Llaushë, por shokët kërkuan që në atë natë të kthehem përsëri duke marrë me vete përveç armës time edhe një armë rezervë me qëllim qe të ktheheshim në Açarevë me armatime si dhe te lajmëronim Ademin.
Daja i Ademit, Sejdi Geci, mori përsipër të kontaktonte me Ademin dhe shokët e tij. Unë së bashku me Haxhi Hajdin Geci, u kthyem në Llaushë rreth mesnatës biseduam me vëllaun tonë të madh bacin Lil duke i treguar për ecurinë e saj dite dhe në të njejtën kohë duke marrë miratimin nga ai që të kthehemi me armatim në Açarevë. Armët e tjera i lamë për vete, me qëllim që t’i bashkoheshim ndonjë aksioni, pasi mendonim se policia serbe do të kthehej të nesërmen në Vojnik për hakmarrje dhe ashtu ndodhi.
Te ne Gecët kemi qenë dy persona me emrin Haxhi unë Haxhi Adem Geci, dhe një kushëri më i largët, Haxhi Hajdin Geci. Të dy Haxhiat, sipas marrëveshjes me Sejdi Sinan Gecin, vendosëm të takohemi te Sejdi Geci, pasi të lajmërohej Ademi, Hamëza, Ilaz Kodra dhe shokët e tjerë të Prekazit.
Ademi lajmërohet nga daja i tij, Sejdiu, dhe menjëherë vjen në Llaushë. Së bashku me Sejdiun, Ademi niset për në Açarevë. Unë marrë armët dhe së bashku me Haxhi Hajdinin shkojmë te shtëpia e Sejdi Gecit, me qëllim që të nisemi për në Açarevë. Kur trokasim në derë, dalin disa prej djemve të shtëpisë dhe na informojnë se Bali Sejdi dhe Ademi janë nisur për në Açarevë, por na kanë thënë se Sejdiu do të kthehet përsëri për të marrë diçka.
Pas kësaj u larguam nga shtëpia e Sejdiut dhe u japëm porosi djemve që kur të kthehet Sejdiu, t’i njoftojnë se ne jemi në odën e Haxhi Hajdin Gecit.
Ne shkuam në odën e Haxhi Hajdin Gecit, ku gjejmë Vehbi Gecin, vëllain e Sabit Gecit, të shtrirë vetëm në odë. Biseduam rreth asaj se si mund të rrjedhin ngjarjet e mëngjesit të datës 26 nëntor, duke e pritur Sejdiun. Megjithatë, Sejdi Geci nuk kthehet nga Açareva, pasi kishte mbetur atje me Ademin. Neve na zuri gjumi duke e pritur.
Në mëngjesin e datës 26 nëntor, ashtu siç prisnim, policia serbe niset për në Vojnik dhe has në pritën e organizuar nga Ademi me guerilën e tij. Aty fillojnë luftimet në Rezallën e Re, dhe dëgjohen krisma armësh dhe zhurma helikopterësh.
Ne nga krismat dhe hilikopteri u zgjuam nga gjumi dhe u ktheva të vëllezërit në shtëpi pasi që atje
ishte e pamundur të përfshiheshim në mënyrë direkte, pasi helikopteri nuk linte hapësirë për ndërhyrje. Duke biseduar me vëllezërit e tjerë dhe me sugjerimin e bacit Lil vendosëm që të zinim pritë në Malin e Kaçkinit, ose siç e quajmë ne, Kodrën e Sylës në mënyrë qe të ndalonim çdo përpjekje të mundshme të forcave serbe për t’iu shkuar në ndihmë policisë serbe që po luftonte me Adem Jasharin dhe shokët në Rezallën e Re, ku këta të fundit kishin shkaktuar humbje të konsiderueshme.
Në aksion morën pjesë unë, vëllezërit e mi: Fadili, Esati, si dhe kushërinjtë Shani Geci dhe Nezir Geci. Ndërsa Halili mbeti të kontaktonte me telefon të Sylë Gecit me presidentin Ibrahim Rugova.
Megjithatë, forcat serbe nuk sollën përforcime, por ndodhi kthimi i tyre nga Rezalla e Re, të vrarë e të sakatuar nga aksioni i guerilës së Adem Jasharit. Të mllefosura nga humbjet e mëdha në njerëz, forcat serbe filluan të qëllonin pa kriter në të gjitha anët, pavarësisht se ku godisnin. Gjatë këtyre gjuajtjeve u plagosën dy mësues në shkollën e Llaushës: Halit Geci, i cili mori plagë të rënda, dhe Shaban Rreci, i cili u plagos në dorë.
Mësuesi Halit u dërgua në spitalin e Mitrovicës, ku sipas informacionit që morëm nga Dr. Bajram Koca, anesteziolog i asaj kohe, mësuesi iu nënshtrua një operacioni. Por, fatkeqësisht, për shkak të plagëve të rënda, nuk arriti t’i mbijetonte dhe ndërroi jetë.
Lajmin për vdekjen e mësuesit Halit e dha në telefonin e bacës Shani mjeku i ndjerë, Dr. Bajram Koca. Vlen të theksohet se ky telefon, në atë kohë, ishte në shërbim të të gjithë Drenicës.
Konfirmimi për vdekjen e mësuesit erdhi rreth mesnatës të datës 26 nëntor. Në atë kohë,unë isha në odën e mësuesit Halit, së bashku me shumë kushërinjtë e tjerë, të cilët kishim shkuar për të mbështetur familjen e mësuesit.
Kur baci Shani mori lajmin e hidhur për vdekjen e mësuesit, kërkon që urgjent të me takoj mua , si të parin e fshatit, dhe për t’ma konfirmuar vdekjen. Më nxorrën jashtë odës së bashku me Istrefin vëllaun e mësusit Halit për t’na konfirmuar lajmin për vdekje.
Të dy të mërzitur hyjmë në odë dhe ngushëllum të pranishmit dhe familjen e mësuesit, si dhe njëri-tjetrin. Avdyli, vëllai i madh i mësuesit, u shprehu ngushëllime të gjithëve dhe tha: “Burra, deri këtu qenka pasur ky fat të ndodhë. Nga ky moment, jeni ju që duhet ta përgatitni ceremoninë e vdekjes, pra, nga ky moment gjithçka është në dorën tuaj.”
Gjatë bisedës, Avdyli tregoi edhe për pushkatimin e babait të tij, Isuf Myrt Gecit, dhe gjyshit tonë Halil Adem Bajraktarit së bashku me 25 burra të zgjedhur të Drenicës, të cilët ishin vrarë dhe të lidhur dorë për dore me tela gjembash nga sllavokomunistët e asaj kohe, Fadil Hoxha dhe Ali Shukria.
Pas përfundimit të bisedës, u vendos që pamja të vazhdojë në odën e Sejdi Fazli Gecit. Kurse delegacionet që do të vinin nga qendrat e Kosovës, si dhe gazetarët dhe media të ndryshme, do të priteshin në kullën tonë të Shtatë Vëllezërve.
Pas konsultimeve dhe bisedës me Avdylin, u shpërndamë për t’u takuar nesër herët. Familjarët e mësuesit tentuan ta marrin kufomën më 27 nëntor, por mjekët nuk e lirojnë pa ia bërë autopsinë, kështu që varrimi mbetet të mbahet më 28 nëntor.
Në mëngjesin e datës 28 nëntor, mësuesi lirohet për varrim. Kolektivi i shkollës kërkon që kufoma të niset nga shkolla, aty ku ka punuar dhe ku u vra mësuesi.
Këshilli organizativ për ceremoninë e varrimit të mësuesit ishte LDK-ja, me kryetar Idriz Rrecin dhe anëtarë Xhafer Murtezin, Vehbi Xanin, si dhe unë kryetari i fshatit të Llaushës dhe kryetari i nëndegës së LDK-së së Llaushës.
Dëshira e kolektivit të shkollës ishte që letrat dhe telegramet t’i lexonte mësuesi Ilaz Geci, dhe ashtu edhe ndodhi.
Jetullah Geci me thërret mua disa herë për të biseduar për mundësinë e hyrjes në program për daljen e UÇK-së në skenë. Unë bisedova me vëllaun bacin Lil dhe i kthehem Jetullahit duke i thënë se : “Ushtria nuk njeh programe, ajo hyn në skenë pa program, merr mikrofonin dhe kryen punën, e vazhdon” ashtu edhe mbeti.
Ne morëm vendimin se personat që duhet të lexojnë letrën nga ana e UÇK-së duhet të jenë të panjohur për terrenin, dhe ashtu ndodhi. Rexhep Selimi doli me maskë, Mujë Krasniçi me mjekër dhe kapuç, i panjohur për terrenin dhe policinë, si dhe Daut Haradinaj, si person i panjohur për terrenin tonë,e lexuan Letren sipas marrëveshjes,ashtu edhe ndodhi.
Tani vjen momenti të bisedohet se nga do të vijë ushtria. Dikush thotë se do të dalim nga një lumë që është afër varrezave, dikush thotë të zbresim nga mali i afërt. Unë dhash një mendim se ushtria çlirimtare duhet të vijë me një makinë, rrugës përmes popullit, deri te bina, dhe ta marrë mikrofonin pa pyetur fare, dhe ashtu ndodhi.
Arkivoli niset në ora 12 nga shkolla për në varrezat e fshatit, ku duhej të varrosej mësuesi. Së bashku me funeralin vinin turma njerëzish nga të gjitha anët e Kosovës; masa e pjesëmarrësve ishte jashtëzakonisht e madhe.
Në këto momente mbërrijnë edhe komandanti Adem dhe Hamëz Jashari. I caktuar për t’i pritur komandantin ishte vëllai ynë i shtati me radhë, Esat Geci, i cili e informonë Ademin për rendin organizativ. Esati e shoqëron Ademin deri te Kodra e Sylës, një vend nga ku mund të vëzhgohej çdo ardhje eventuale e policisë serbe për ta prishur ceremoninë e varrimit, fatbardhësisht ajo nuk ndodhi.
Poshtë te varret ishin grumbulluar mijëra njerëz për ta përcjellë me dinjitet ceremoninë e varrimit.
U vendos që fjalën e rastit nga kryesia qendrore ta marrë Fatmir Sejdiu, ashtu edhe ndodhi. Fatmiri mori fjalën dhe, në emër të presidentit Rugova, i shprehu ngushëllime familjes dhe të pranishmëve. Më pas, i është dhënë fjala edhe Rexhep Gjergjit. Kur Rexhepi e mori fjalën dhe posa e mbylli, erdhën djemtë e UÇK-së, të veshur me rroba ushtarake, morën mikrofonin dhe shpallën UÇK-në si forcën mbrojtëse që do ta mbrojmë vendin deri në pikën e fundit të gjakut.
Nga të pranishmit, që ishin në numër të madh, paraqitja e UÇK-së u prit me brohoritje dhe mbështetje të madhe nga gjithë ajo masë.
Derisa Komandanti Legjendar Ademi, Hamza dhe shokët e tjerë ishin në malin mbi varreza, në vendin e quajtur Kodra e Sylës, duke vëzhguar situatën dhe duke u kujdesur që rastësisht të mos intervenonte policia serbe, turma shpërndahet pas ceremonisë së varrimit.
Ademi dhe Hamza zbresin nga mali; Hamza shkon te daja Osman, ndërsa Ademi shkon në shtëpinë e Sabit Gecit, aty ku ishin Rexhep Selimi me shokë.
Pas ceremonisë së varrimit, shumë njerëz kthehen për të parë vendin ku u vra mësuesi në shkollë, aty gjejnë shumë gazetarë dhe televizione të ndryshme. Diskutohet se nga doli kjo ushtri,unë i’u përgjigja: “UÇK-ja është e jona dhe njëri nga këta jam edhe unë.”
Gazetarja Evliana Berani, si dhe shumë gazetarë të tjerë, kishin dëgjuar nga zhurmat fjalë dyshuese. Unë, i’u përgjigja shkurt Evlianës se kjo ushtri është e jona, dhe unë jam njëri ndër ta. Gjatë bisedës i tash Evlianës, nëse dëshiron, mund ta dërgoj te Ademi, ku është i vendosur me shokë. Pas pak morëm një kombi të një mikut të mësuesit Halit, me emrin Skënder, i firmës “Fullda”, dhe shkuam në vendin ku ishte Ademi, në shtëpinë e Sabit Gecit.
Në momentin që hyjmë në oborr, Sabiti doli përpara dhe na dërgoi në një dhomë në katin e dytë, ku ishte vetëm Rexhep Selimi. Në atë dhomë me mua ishin Haxhi Hajdin Geci dhe gazetarja Evliana Berani. Sabiti na la në dhomë dhe shkoi te Ademi, që ishte në podrumin e shtëpisë.
Pas përshëndetjes së gazetares me Rexhep Selimin, pyetja e parë e gazetares ishte: “Si është puna me Ushtrinë Çlirimtare?” Rexhepi u përgjigj: “Si me të gjitha ushtritë e botës!” Pyetja e dytë e gazetares ishte: “Keni ushtarë?” Rexhepi u përgjigj: “Kemi mjaftë!” Në pyetjen e gazetares: “A keni epërorë?”, Rexhepi u përgjigj: “I kemi të gjitha!”
Kur gazetarja pyeti nëse mund të takonte të tjerët, Rexhepi tha: “Një kat më poshtë.” Rexhepi nxori nga xhepi një letër, të cilën e kishte lexuar më herët në daljen publike të ushtrisë, dhe ia dha Evlianës në dorë. Evliana nuk e mbajti letrën, por më dha mua. Kjo letër ende ekziston diku, por nga lufta është harruar vendi i fshehjes së saj. Gazetarja dhe ne u ndamë nga Rexhepi dhe zbresim në podrum, në një dhomë të vogël dhe të ngushtë, ku ishte komandanti legjendar Adem Jashari , Ilaz Kodra dhe shokët e tjerë.
Evliana u ul si mysafire në një vend më të lartë të dhomës, ndërsa unë u ul mbi një gajbe birrash, afër derës, ku kishin qenë duke festuar daljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në skenë. Evliana dhe komandanti biseduan për ecurinë e mëtejshme, duke u mbështetur në të drejtën për liri, duke thënë se ne jemi duke e mbrojtur dhe luftuar për vendin tonë.
Pas pak, Ademi u ngrit në këmbë, kaloi pranë derës me preku mua në krah dhe së bashku dolëm jashtë. Ademi ishte i vetëdijshëm se Serbia do të hakmerrej, dhe m’u drejtua mua me këto fjalë: “Daja Haxhë, thuaj dajës Halilë që të përgatisë armët dhe thirrma dajën Gani, le të kthehet sa më shpejt nga atje ku është, se u dalë goruzhda prej kazanit.” Pas një bisede të shkurtër, Ademi i tregoi disa shqetësime që ndoshta më vonë do të bëhen publike.