Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre. Në konflikte të tilla shpesh përfshihen edhe vjehërria, që ushtrojnë dhunë ndaj tyre.
Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në Veternik të Prishtinës, ku një grua ka kërkuar ndihmë nga Policia, si pasojë e dhunës së ushtruar nga bashkëshorti dhe nëna e tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se sipas informacioneve të para, burri dhe vjehrra kanë ushtruar dhunë psikike ndaj nuses dhe i kanë kërkuar të largohet nga shtëpia.
Bazuar në dëshminë e saj, burri i është drejtuar ndër të tjera me fjalët “merre kopilin dhe dil prej shtëpisë ” – e më pas vjehrra ka tentuar edhe ta sulmojë fizikisht.
Për pasojë, viktima ka vendosur që të kërkojë ndihmë, duke i raportuar të dyshuarit në Polici, me ç’rast ka rrëfyer rastin.
Si rezultat i raportimit, dy të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tyre kanë nisur hetimet për dhunë në familje, kurse gruaja është dërguar në strehimore.