Dialogu Kosovë-Serbi ka kohë që ka mbetur në një udhëkryq pa ndonjë përparim në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin të marrëdhënieve mes palëve.
Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje, presin lëvizje pozitive në këtë proces me ardhjen në krye të politikës së jashtme të BE-së të ish-kryeministres së Estonisë, Kaja Kallas. Deputetë të kësaj partie thonë se Kosova çdo herë e ka respektuar frymën e marrëveshjes bazike por jo e dhe Serbia.
“Shpresojmë duke përfituar nga ndryshimet në BE, Kaja Kallas do të jetë përgjegjëse në masë të madhe për dialogun ajo ka një histori dhe përvojë të mirë sa i përket tendencave… të Rusisë të cilat i ka edhe Serbia…Është një plus i madh për Kosovën. Asnjë zyrtarë s’ka qenë kundër frymës së marrëveshjes së Brukselit por Serbia e ka sulmuar vazhdimisht këtë marrëveshje”, tha Armend Muja.
Në PDK ndërkaq nuk presin ndonjë përparim në procesin e dialogut me Serbinë për shkak të zgjedhjeve të reja parlamentare të 9 shkurtit.
“Kosova futet në proces zgjedhor dhe nuk shoh që kemi lëvizje te reja mund të shoh që do kemi tone më të ashpra ndaj palëve por nuk shoh që do te kemi zhvillime të reja në procesin e dialogut pikërisht për shkak të zgjedhjeve”, tha Blerta Deliu.
As në LDK nuk presin përparim në dialog duke e cilësuar si proces të dështuar.
“Deri me tani s’kemi pasur transparencë sa i përket dialogut gjithçka ka qenë dështim s’kemi pasur progres vetëm regres… mund të ketë takime por s’besoj se do të ketë ndonjë sukses për tre muaj”, tha Rrezarta Krasniqi.
Takimi i fundit në nivel të kryengeciatorëve të Kosovës dhe të Serbisë u mbajt më 24 tetor në Bruksel, i cili përfundoi pa ndonjë rezultat konkret.
Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për normalizim marrëdhëniesh në shkurt të vitit të kaluar, ndërsa në mars të atij viti për aneksin e zbatimit të saj por deri më tani kjo marrëveshje nuk ka gjetur zbatim.