spot_img
Saturday, November 23, 2024
spot_img

​Kur do të vendosë Themelorja për gjykimin e terroristëve në rastin Banjska?

Gjykata Themelore në Prishtinë ende nuk ka vendosur se si do të vazhdojë lidhur me gjykimin e 42 të akuzuarve për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, të cilët janë në arrati.

Ndërkohë, tre të akuzuar të tjerë për këtë sulm tashmë janë para gjykatës. Të njëjtit janë në paraburgim nga shtatori i vitit të kaluar.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi thotë për KosovaPress se kryetari i trupit gjykues në këtë rast, Arben Hoti është në fazën e “analizimit dhe vlerësimit lidhur me gjykimin në mungesë për 42 të akuzuarit tjerë”.

Ajo thotë se ky trup gjykues ende nuk ka marr asnjë vendim në këtë drejtim.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas përgjigjes së Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me rastin e gjykimit në mungesë, kryetari i Trupit Gjykues në këtë çështje penale është në fazën e analizimit dhe vlerësimit lidhur me gjykimin në mungesë, rrjedhimisht ende nuk është marr vendim nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thotë Gashi në një përgjigje me shkrim.

Në seancën e shtatorit, Themelorja njoftoi se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të zhvillohet gjykimi në mungesë.

Supremja më pas sqaroi se nuk jep mendime juridike për dilemat që mund t’i ketë gjykata e shkallës së parë.

Aktakuza kundër personave që akuzohen për terrorizëm dhe financim të terrorizimit, është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024.

Veprimi i organeve të drejtësisë erdhi një vit pasi në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës, një grup terroristësh serbë sulmuan Policinë e Kosovës.

Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Shumë nga terroristët që ishin të përfshirë në këtë sulm mendohet se janë në Serbi, ndërkaq përgjegjësinë për sulmin e kishte marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe – parti kjo që e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj vlerëson se gjyqtari do të duhej të merrte një vendim lidhur me këtë rast, por sipas tij nuk duhet të ketë vendim të ngutshëm.

Ai thekson se në këtë rast gjyqësor, gjykimi në mungesë nuk mund të aplikohet.

Miftaraj: Gjyqtari do të duhej të merrte vendim sa më shpejt

“Nuk është diçka e ngutshme, pasi që personat janë tanimë në arrati. Në bazë të ligjit në mungesë nuk lejohet për këto vepra penale që janë akuzuar, rasti Banjskës, sikurse të kishte qenë si vepër e kualifikuar në aktakuzë vrasja e rëndë do të lejohej gjykimi në mungesë, kjo nuk ka ndodhur, është për tri vepra të cilat Kodi i Procedurës Penale thjesht nuk e lejon gjykimin në mungesë. Kurdo që merret vendimi nuk është që ndikon në procedurë penale…Gjyqtari do të duhej të merrte vendim sa më shpejt në mënyrë që t’i largojë dyshimet që kanë nisur në publik. Siguria juridike kërkon që gjyqtari kur ka kohë ose mundësi, ta sqarojë një gjendje në rastin konkret sa më shpejt që është e mundur”, thotë ai.

Arianit Koci, avokati i familjes së rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku, është optimist që Gjykata Themelore në Prishtinë e ka prioritet këtë rast.

Koci: Besoj që Themelorja shpejt do të marrë vendim për procesin e gjykimit në rastin Banjska

“Unë besoj që gjykata e ka prioritizuar këtë rast, besoj që shpejtë e merr vendimin. Sidoqoftë për mua sfidë ka qenë me hy gjithë të dyshuarit apo të pandehurit në kërkesën e kuqe të Interpol-it. Tash këta që janë në duart e drejtësisë të Kosovës janë këtu në paraburgim, por edhe atë tjerët janë në një situatë që më kurrë nuk mund të dalin prej Serbisë“, thotë Koci.

Koci thotë se edhe të akuzuarit e tjerë që janë në arriti, një ditë do “të jenë në duart e drejtësisë kosovare”.

Koci: Të akuzuarit e tjerë për rastin Banjska një ditë do të jenë para drejtësisë kosovare

“Shumë keq që ata që e kanë organizuar këtë nuk janë në duart e drejtësisë kosovare…Herë do kur ata në një formë apo tjetër kanë me ra në duart e drejtësisë së Kosovës sepse do t’i vendosen kushte të ndryshme Serbisë për dorëzimin e tyre, ju veç edhe po e shihni që gjithmonë po përmendet…Nëse gjyqtari vendos që të vazhdojë me gjykim në mungesë, Gjykata Supreme ia ka lënë në diskrecion të plotë dhe unë personalisht si përfaqësues i familjes Bunjaku jam i përgatitur për dy skenar edhe për gjykimin në mungesë edhe për gjykimin me këta tre që janë të paraburgosur”, theksoi ai.

Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq – tre të akuzuar për sulmin terrorist në Banjskë, ishin në sallën e gjyqit më 25 shtator në Prishtinë.

Prokuroria kishte propozuar që për 42 të akuzuarit e tjerë – prania e të cilëve nuk ishte siguruar – të zhvillohet gjykim në mungesë.

Por, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti kishte vendosur që të marrë interpretim nga Gjykata Supreme se a mund të aplikohet gjykimi në mungesë në këtë rast, i paraparë në Kodin e Procedurës Penale.

Më vonë Supremja ia la në dorë Gjykatës Themelore që të vendosë tutje se si do të procedohet me 42 të akuzuarit që janë në arrati.

Në shqyrtimin fillestar, të akuzuarit Blagoje Spasojeviç dhe Vladimir Toliç nuk u deklaruan rreth fajësisë. Ndërkaq, Dushan Maksimoviç u deklarua i pafajshëm.

Në mesin e 45 personave ndaj të cilëve është ngritur akuzua, është edhe Radoiçiq si udhëheqës i grupit terrorist.

Sipas aktakuzës, ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Disa nga terroristët akuzohen edhe për financim të grupit e shpëlarje të parasë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit