Nga Spartak Ngjela
Çfarë po ndodh me kohën tonë? A do të bëhemi edhe ne shqiptarët të aftë për të kuptuar që aleatët tanë na kanë dhënë dy shtete shqiptare?
Po ne?
I.
Shtetin e parë shqiptar Shqipërinë, pas luftërave të ashpra qindravjeçare të heronjve të shqiptarisë, na i dha për aleancë miqësore AustroHungaria që ishte një superfuqi e Shekullit të Njëzetë.
Shtetin e dytë, Kosovën, na i çliruan me luftë UÇK dhe aleatët tanë të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitet 90′ të shekullit që kaloi, dhe Kosova shqiptare e shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008.
Po ne, çfarë po bëjmë për shqiptarinë, me të dy shtetet tanë?
Deri tani, shumë pak.
Atëherë?
Deri tani asgjë të rëndësishme.
Sot janë dy shtete shqiptare në Ballkanin Perëndimor, dhe kufitarë me njëri-tjetrin.
Dhe janë dy kryeministra shqiptarë, në Shqipëri e në Kosovë, por nuk kanë bërë asgjë serioze.
Po ku është pengesa?
Kuptohet se pengesa duhet të jetë Edi Rama.
Pse?
Ai e ka pasur historinë e vet në pikëpamjet të paqarta politike, por ka qenë edhe apatia e tij për ta kuptuar drejt dhe thellë historinë e Shqipërisë.
Por, tani po kuptohet se kryeministri i Shqipërisë e ka kaluar këtë ngërç. Ai botërisht, në fjalimin e tij që para një muaji e mbajti në Athinë, përmendi 4 milionë shqiptarët që jetojnë në Greqi, të cilë janë aty shumë shekuj më parë se sa në Greqi të vinin grekët e Anadollit.
II.
Aleanca e madhe e Shqipërisë dhe Kosovës me Uashingtonin, i ka mërzitur shumë edhe Beogradin, edhe Athinë, edhe Parisin.
Ja kjo duket se ka qenë apatia e Edi Ramës në politikë, por që, pas fjalimit që mbajti në Greqi për Çamërinë, kuptohet se kryeministri i Shqipërisë tani ka hyrë në një politikë të madhe që po drejtohet nga Uashingtoni.
Të shohim se si do të ecë me tej kjo çështje e re e politikës së lartë shqiptare.
Por, tani, të gjithë politikat e antishqiptarizmit; në Beograd, në Moskë dhe në Athinë, kuptohet se po presin politikën e presidentit të ri amerikan Donald Trump, për të parë se çfarë politike ai do të ndjekë për Kosovën dhe botën shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Por, nëse presidenti i ri i Amerikës, që pritet që në janar 2025 të fillojë mandatin e tij si President, e kupton qartë se ka edhe një shtet tjetër të pavarur shqiptar në Gadishullin e Ballkanit, Maqedonia e Veriut, që duhet të shpall pavarësinë, atëherë çështja shqiptare do të forcohet shumë, por njëherësh po kështu edhe politika amerikane në Gadishullin Ilirik.
Sepse, pas kësaj, shtetet shqiptare në këtë rajon strategjik, e forcojnë maksimalisht politikën amerikane në funksion të konfliktin historik që Shtetet e Bashkuara kanë me Rusinë.
III.
Por, pyetja kryesore që duhet ngritur më këtë rast është kjo:
A dinë ta bëjmë këtë politikë dy kryeministrat dhe dy presidentët shqiptarë në Tiranë dhe në Prishtinë, për ta sjellë historinë e Shqipërisë dhe historinë e Kosovës në historinë reale, e ta fusin në rrjedhën historike Iliri, Arbëri, Dardani?
Sepse kështu krijohet edhe mundësia e artë e historisë moderne, që Shqipëria etnike, me ndihmën e Uashingtonit, të vijë në rrjedhën e saj real-historike, për të krijuar katërshen mijëravjeçare të shqiptarisë: Shqipëri, Kosovë, Çamëri dhe Maqedoni e Veriut.
Dhe na duhet ta theksojmë se kjo është një katërshe historike që vjen qartësisht nga historia 3000 vjeçare Iliri, Arbëri, Dardani, Shqipëri, Epir, Maqedoni.
Se kjo është sot, e gjitha, ende, Bota Shqiptare në Ballkanin Perëndimor.
Prandaj duhet të ketë një bashkim politik për të krijuar forcën reale të shqiptarisë…
Dhe kjo do të vijë domosdoshmërish, sepse nuk ka rrugë tjetër, dhe të gjithë analistët dhe politikanët e rëndësishëm po e presin që kjo të ndodhë…