Vendosja e trupave të Koresë së Veriut për të mbështetur agresionin e Rusisë kundër Ukrainës përfaqëson një kërcënim serioz jo vetëm për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara, me pasoja të mundshme në të gjithë rajonin Indo-Paqësor.
Kështu, siç shkruajnë mediat e huaja, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte në një apel të drejtpërdrejtë ndaj Donald Trump.
Rizgjedhja e Trump ka ngjallur frikën se republikani, mund ta lërë Ukrainën të pambrojtur ndaj Kremlinit dhe të minojë garancitë e mbrojtjes kolektive të NATO-s.
Gjatë fushatës, Trump nxiti zemërim pasi tha se do të “inkurajonte” Rusinë të bënte “çfarëdo që të duan” me vendet që nuk arrijnë të përmbushin objektivin e shpenzimeve ushtarake të aleancës.
Duke folur me gazetarët të enjten, Rutte hodhi poshtë këta skenarë të rasteve më të këqija dhe shprehu shpresën për të krijuar një marrëdhënie të mirë pune me Trump, i cili do të inaugurohet si presidenti i 47-të i SHBA-së më 20 janar.
Zhvillimet e fundit në luftën në Ukrainë, tha ai, janë arsye e mjaftueshme që Uashingtoni të brengoset edhe më tej.
Kujtojmë se Pentagoni vlerëson se rreth 10,000 ushtarë të Koresë së Veriut janë dërguar në rajonin Kursk të Rusisë, të cilin Ukraina e ka pushtuar pjesërisht.
Transferimi i forcave ushtarake ka vënë në gatishmëri të lartë Kievin dhe Perëndimin.
“Rusia po dërgon teknologjinë më të fundit në Korenë e Veriut në këmbim të ndihmës së Koresë së Veriut në luftën kundër Ukrainës. Dhe ky është një kërcënim jo vetëm për pjesën evropiane të NATO-s, por edhe për territorin e SHBA-së”, citohet të ketë thënë Rutte para gazetarëve ndërsa merrte pjesë në një takim të liderëve evropianë të profilit të lartë në Budapest.
Rutte përmendi Kinën dhe Iranin, dy vende për të cilat Trump ka premtuar një politikë të vijës së ashpër, si partnerë shtesë në agresionin e Rusisë.
“Ne duhet të punojmë së bashku. Kështu që mezi pres të ulem me Donald Trump për të diskutuar se si mund t’i përballojmë këto kërcënime kolektivisht, çfarë duhet të bëjmë më shumë”, ka thënë më tej shefi i NATO-s.
“Dhe po, një pjesë e kësaj – dhe këtu ai ka absolutisht të drejtë – do të jetë se në anën evropiane të NATO-s, ne do të duhet të shpenzojmë më shumë, të bëjmë më shumë për t’u siguruar që të arrijmë objektivat e kapaciteteve”.
Një raport i publikuar në qershor tregon se 23 nga 32 anëtarët e NATO-s tani përmbushin qëllimin për të shpenzuar të paktën 2% të BPV-së së tyre për mbrojtje, një trend që filloi gjatë mandatit të parë të Trump dhe u përshpejtua në mënyrë drastike pasi Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës.
Ndërsa i pyetur nëse aleanca duhet të vendosë një objektiv më të lartë për të përballuar kontekstin e ri të sigurisë, Sekretari i Përgjithshëm tha se kjo duhet t’u lihet udhëheqësve për të vendosur.