spot_img
spot_img
Thursday, January 23, 2025
spot_img
spot_img

“Do sillte nëndetëset e Titos nga Drini i Zi të përmbyste Enverin”, akuza që i kushtoi 25 vite burg major Bajram Hysenit

Shkruar nga Afrim Imaj

I njohur nga një rreth i ngushtë njerëzish, rrëfimi i çuditshëm me profilin e një anekdote, i konsumuar si dëshmi në një proces të vitit ’71, rreket të zbulojë planin e një kryengritje të armatosur të mbetur në tentativë. Bajram Bitri, burri nga Kastrioti, dëshmitari special në gjyqin e majorit dhe shkrimtarit Bajram Kovaçi këmbënguli deri në fund se i pandehuri e kishte njohur nga afër me planin e sulmit të ushtrisë jugosllave, që do të mësynte për të rrëzuar me forcën e armëve regjimin e Enver Hoxhës. Mandej, denoncuesi misterioz, me një qetësi të shtirur shtjelloi mënyrën dhe mjetet me të cilat do të realizohej goditja katastrofike. Kryefjala e dëshmisë së tij fund e krye i referohej zbarkimit të nëndetëseve jugosllave nga lumi në Veri të vendit(!) I kryqëzuari për sipërmarrjen e tmerrshme bëri të pamundurën për ta kundërshtuar, por ishte e kotë. Askush nuk ia vuri veshin fjalëve të tij. As atëherë kur argumentoi me qetësi se ishte marrëzi të besoje lundrimin e mjeteve detare luftarake nga Drini i Zi. As më pak e as më shumë e gjithë kjo “lojë” Bajram Kovaçit do t’i kushtonte 25 vite burg.
Nuk dihet çfarë ndodhi më tej me dëshmitarin kyç të akuzës absurde. Ndërkohë jetojnë gjyqtarët dhe hetuesit e procesit të bujshëm, të cilët refuzojnë prerazi t’i kthehen kësaj historie. Ka pak kohë që ka ndërruar jetë viktima e kryqëzatës së çmendur. Në ditët e fundit të tij patëm rastin të bisedojmë shtruar në strehën ku jetonte diku në periferi të “21 Dhjetorit” në Tiranë…
Zoti Bajram! Në rastin e dënimit tuaj bëhet fjalë për një kryengritje të armatosur për të cilën është folur fare pak në kohën e diktaturës. Me se ka të bëjë heshtja ndaj saj, ndërkohë që në atë periudhë trumbetohej me të madhe qoftë edhe një goditje e rëndomtë e Sigurimit të Shtetit?

Akuza ka qenë vërtetë e rëndë. Unë një major i ushtrisë shqiptare, sipas denoncimit që kishte përpunuar Sigurimi i Shtetit, kisha vendosur lidhje me zbulimin jugosllav dhe do të realizoja një mësymje të ushtrisë serbe në fillim nga veriu i Shqipërisë për të goditur në finale Tiranën dhe Komitetin Qendror. Me këtë akuzë u degdisa në ferrin e Burrelit për 25 vite. Aty, i izoluar tërësisht nuk kisha si ta mësoja se ç’flitej jashtë. Kur dola në fillimin e viteve ’90 jam befasuar që një pjesë e madhe e të njohurve nuk e dinin pse më kishin dënuar…

spot_img

A keni menduar ndonjëherë çfarë e ka detyruar politikën e asaj periudhe ta kalojë në heshtje dënimin tuaj?

E kam vrarë mendjen gjatë dhe të them të drejtën akoma nuk kam ndonjë gjykim përfundimtar. Herë-herë mendoj se kjo ndoshta ka të bëjë me absurdin e argumenteve mbi të cilat ishte ndërtuar akuza. Përndryshe, me mënyrën vulgare sipas të cilës unë do të sillja armatën jugosllave për të mësyrë në Shqipëri. Me sa duket skenari i ngritur për të vënë para drejtësisë duzinën e armiqve të radhës, “mori ujë” që gjatë procesit dhe gjërat u mbyllën me kyçjen tonë në shtatë penxheret e Burrelit. “Anija” e propagandës këtë radhë nuk mund të dilte në breg, por gjysmën e punës kapitenët e saj e kishin bërë…

Çfarë keni parasysh kur thoni që Sigurimi kishte ngritur një skenar të pabesueshëm për mënyrën si do ta sillnit armatën jugosllave në Shqipëri?

Akuza, që në krye të herës shfaqej e pabesueshme. Goditi ca më vonë diktatura gjeneralët e lartë të ushtrisë për puç e grusht shtetit, po nga mënyra si u manipulua edhe mund të besohej. Se ka ndodhur gjetkë që përmbysje të tilla ushtarake kjo kategori ka mundësi t’i bëjë. Në rastin tim, kjo ishte e pamundur për t’u realizuar dhe qesharake për t’u besuar…

Megjithatë një major mund të bëhet pjesë e një grushti shteti, apo bashkëpunëtor i një zbulimi të huaj…

Patjetër që një major, madje edhe një kapter mund të bëhet pjesë e një organizimi ushtarak për përmbysjen e sistemit me dhunë. Në rastin tim fjala nuk ishte për një pjesëmarrje të zakonshme në një sipërmarrje antikushtetuese. Në gjyqin që u mbyll pasditen e 27 nëntor 1971 në kinemanë e Peshkopisë më akuzuan si figurën kryesore të një kryengritjeje të armatosur që kishte mbetur në tentativë. Ishte një skenar i çuditshëm. Legjenda e tij bënte me dije se Bajram Kovaçi delte ilegalisht në Jugosllavi, merrte kontakt me zbulues serb dhe të arratisur shqiptarë dhe bashkërisht hartonin plane për një kryengritje të armatosur në rrethin e Dibrës.

Gjithsesi, deri këtu akuza mbetet në një kontekst të përgjithshëm…
Nuk e linte kush akuzën në planin e përgjithshëm. Gjërat përpunoheshin me detaje. Denoncimi ndaj meje nuk mbetej në hipotezën e një përpjekje jashtë kufirit shtetëror për një kryengritje në Dibër. Skenari e “tokëzonte” veprimin në terrenin shqiptar. Më shkurt, ajo që organizohej jashtë, sipas tij, ishte parashikuar me masa të detajuara për t’u konkretizuar brenda. Ideja e ngritur në Jugosllavi me bekimin e Panajot Plakut, do të “materializohej” me veprime konkrete deri në momentin final që parakuptonte ofensivën ushtarake. Sidoqoftë gjërat nuk shkuan kreshento deri në fund. Si çdo mashtrim edhe kjo marrëzi diku do ta zbulonte vetveten. Argumentet e përdorur për mënyrën dhe mjetet me të cilat do të realizonim vërshimin e ushtarakëve serbë në Shqipëri tingëlluan të pabesueshme qysh ditët e procesit. Gjithsesi, ata për asnjë moment nuk deshën t’ia dinin…

Ju thoni se sigurimi përdori dëshmi të pabesueshme për të provuar ofensivën e armatës jugosllave në territorin shqiptar…

Të gjitha provat e dëshmitë ishin të trilluara. Mjafton t’ju përmend një nga denoncimet e çuditshme që ishte zgjedhur si pika më e fortë për akuzën. Fantazia e sigurimit kishte vënë në gojën e një bashkëfshatari ligjërimin e çmendur sipas të cilit, unë majori i thjeshtë i ushtrisë, do të sillja nëndetëset jugosllave nga Drini i Zi për të zbarkuar në Vaun e Dejës. Ushtarakët serb që do dilnin prej tyre, do të bashkoheshin me forcat e reaksionit dhe do të mësynin mbi Shkodër e Dibër për t’u përqendruar në Tiranë…

Pra, Sigurimi që kishte zbuluar këtë kishte gjetur edhe dëshmitarin për ta deponuar në proces…
E kishte zbuluar “syri dhe veshi” i Partisë, siç i thoshim atëherë, por në hetuesi kuptohet nuk do shfaqej as syri dhe as veshi, por një gjymtyrë tjetër. Një mostër e përpunuar prej tij. Njerëzit e policisë sekrete punonin natën, ilegalisht, artikulonin aktakuzat, linjat kryesore të tyre dhe thërrisnin pastaj njerëzit e tyre, ata “2000 lekëshit” për t’u thënë pjesën, që duhej ta interpretonin para hetuesve dhe gjykatësve. Kështu ndodhi edhe në rastin tim. Ideja se unë kisha dalë fshehtas në Jugosllavi dhe isha takuar me zbuluesit e Titos dhe Panajot Plakun me të cilët kisha organizuar një kryengritje të armatosur, u pohua në gjyq nga tre katër bashkëfshatarë. Ndër ta ishin edhe të afërm të familjes tonë. Ata tregonin sikur kishim udhëtuar bashkë matanë kufirit, sikur kishim bërë plane të përbashkëta etj., etj.

Kush ishte dëshmitari që i kishin besuar episodin e nëndetëseve të Vaut të Dejës?
I gjori dëshmitar, thuaj më mirë, ka pak muaj që ka ndërruar jetë. Kam dashur t’ia lë harresës si shumë shpifje të tjera dëshminë e tij dhe të them të drejtën e kam mëshiruar të mjerin, bile me shpirt. Bajram Bitri e quanin. Ishim rritur bashkë në të njëjtin fshat dhe ishim ndarë diku pas luftës. Unë kisha filluar punë në ushtri pas një shkollimi disavjeçar në Tiranë, ndërkohë që ai vazhdonte në fshat në bujqësi. U desh të na bashkonte Sigurimi në bangën e të akuzuarve. Nuk e di pse zgjodhën pikërisht atë, por aq sa i ngarkuan, Bajrami i gjorë u përgjigj me zell bile. U paraqit sipas porosisë dhe dëshmoi serbes-serbes. Tha se e kisha lajmëruar unë nga Tirana për ta çuar me pjesën tjetër të komplotistëve për të pritur ushtarët jugosllavë që do të vinin me nëndetëset në Vaun e Dejës…

Bajram Hyseni, partizani i dënuar për tradhti ndaj Atdheut

Falë pasionit të shkrimtarit, Bajram Kovaçi, nga Laçej i Fushë-Çidhnës, është munduar ta hedh jetëshkrimin e tij në disa libra me kujtime. I ka kushtuar shumë kalvari i vuajtjeve në burgjet e diktaturës. Ka përjetuar vërtetë një dramë të tmerrshme, por asnjëherë nuk e ka zbehur krenarinë për pjesëmarrjen në radhët e partizanëve të luftës nacionalçlirimtare. Nga plejada e antifashistëve të atyre viteve, Baba Faja Martaneshi dhe Qamil Guranjaku kanë qenë dy nga miqtë më të afërt të tij në shoqërinë e të cilëve është ndjerë i privilegjuar. Me Baba Fajën ka marrë pjesë në dhjetëra beteja dhe është burrëruar nga guximi dhe pjekuria e tij. Qamil Guranjaku ka qenë mësuesi i parë, që i çmoi poezitë e fillimit dhe e integroi në radhët e lëvizjes kundër okupatorit. “Kam qenë pjesë e batalionit partizan Dibër-Martanesh qysh në ditët e para, shkruan në kujtimet e tij Barjam Kovaçi dhe nuk jam shkëputur asnjë ditë nga radhët e tij”. Sakaq, lufta për çlirimin e Tiranës ishte fiksuar si një nga betejat më të lavdishme të batalionit të tij. Mjaft nga përjetimet e saj i ka daltuar në krijimtarinë e tij letrare. Mbyllja e kapitullit të luftës e futi jetën e partizanit 15-vjeçar në të tjera zhvillime. Nisi së pari profesionin e oficerit të ndërlidhjes për të vijuar më tej me atë të gazetarit ushtarak. Kështu deri sa një ditë meritat do të merrnin profilin e mëkateve dhe ai ish-partizani e komunisti i vitit ‘45 do të bëhej banor i qelive të tmerrshme të burgjeve të diktaturës…

Bajram Hyseni Kovaçi

Datëlindja:1929.
Vendlindja:Kastriot, Dibër.

Profesioni:Gazetar.
Dënimi:25 vjet për tradhti ndaj Atdheut.

Autor i disa librave me prozë e poezi.

 “Kryengritja u organizua në Beograd”

“Tradhti ndaj atdheut dhe nxjerrje e sekretit shtetëror”. Epilogu i seancave gjyqësore ndaj Bajram Kovaçit ishte befasues. Akuza e rëndë dhe dënimi maksimal tronditën të pandehurin dhe të pranishmit në kinemanë e Peshkopisë, ku bëhej gjyqi i tij. Në dosjen e procesit të bujshëm është ruajtur pjesa më e qenësishme e odisesë së përballjes së Kovaçit me denoncuesit. I tërë mali i akuzave bën fjalë për organizimin e një kryengritje të armatosur në zonën e Dibrës në fillimin e viteve ‘60. Bajram Kovaçi, sipas këtij dokumenti, ka qenë protagonisti i organizimit të kësaj sipërmarrjeje armiqësore. Provat e konsumuara gjatë seancave gjyqësore i referohen të dhënave të policisë sekrete dhe disa dëshmitarëve sipas të cilëve i pandehuri kishte marrë kontakte ilegale zbulimin jugosllav dhe disa nga të arratisurit shqiptarë. Ai kishte kontaktuar Panajot Plakun dhe bashkë me të kanë hartuar një plan për të bërë një kryengritje të armatosur në Shqipëri. Pavarësisht se Bajram Kovaçi i shpërfill të gjitha këto, platforma e ngritur për goditjen e tij nuk rresht të materializojë mënyrën dhe mjetet sipas të cilave, grupi i tij do të finalizonte përmbysjen e pushtetit popullor me dhunë. Dëshmitë për këtë arrijnë madje deri në paradoks. Mjafton të kujtojmë pohimin e çuditshëm që bëri në seancë Bajram Bitri, sipas të cilit Bajram Kovaçi kishte organizuar zbarkimin e armatës jugosllave me nëndetëse nëpërmjet Drinit të Zi(!). Më poshtë po botojmë një pjesë të dokumentit gjyqësor…

Dokumenti: Ja krimi i tradhtisëGjykata Popullore e rrethit Dibër me kryetar të seancës gjyqësore Rifat Tola dhe me ndihmës gjyqtar Jolanda Shehun e Zyber Gjurën, asistuar nga kryesekretari Haki Haxhiu me pjesëmarrje të prokurorit Hulusi Topollaj në Peshkopi më datat 24,25,26 dhe 27.XI.1971 shqyrtoi çështjen penale që u përket të pandehurve Bajram Kovaçi (Hyseni), Hakik Kuta, Isuf Kovaçi e Bajram Bitri të akuzuar se kanë kryer krimin e tradhtisë ndaj atdheut dhe veçmas i pandehuri Bajram Kovaçi edhe krimin e përhapjes së informative shtetërore që përbëjnë sekret shtetëror dhe të agjitacionit e të propagandës…Nga thëniet e vetë të pandehurve dhe ato të dëshmitarëve, si dhe nga provat e ndryshme që ndodhen në dosje duhet pranuar se të pandehurit kanë konsumuar krimin e tradhtisë. I pandehuri Bajram Kovaçi, armik i betuar i partisë është vënë në shërbim të zbulimit jugosllav, me detyra spiunazhi që në vitin 1949… Të pandehurit ngritën dorën kundra R.P. Socialiste të Shqipërisë kur ajo sapo kishte filluar të merrte frymë, ndonëse e vogël, ishte në mes të gjarpërinjve imperialistë që kërkonin ta gllabëronin. Por ata i bënë hesapet pa hanxhinë. Nuk menduan se foshnja që po lindte ishte vigani Shqipëri, nën udhëheqjen e Partisë me në krye timonierin e saj trim Enver Hoxha do thyente njëri pas tjetrit të gjithë ata që do guxonin ta preknin sadopak… Të katër të pandehurit në kohë të ndryshme veç e veç, por edhe bashkë kanë kapërcyer disa herë kufirin shtetëror dhe kanë shkuar në Jugosllavi, ku kanë marrë kontakte e detyra nga zbuluesit jugosllavë… Në verën e vitit 1962, i pandehuri Bajram Kovaçi mori një porosi nga zbulimi jugosllav nëpërmjet të pandehurit Bajram Bitri për të shkuar në Jugosllavi, që të takohej aty me kuadro të zbulimit jugosllav. Me ndihmën e të pandehurit Hakik Hutës ky shkon në Jugosllavi dhe merr udhëzime për vazhdimin e veprimtarisë armiqësore kundër pushtetit tonë popullor. Në Jugosllavi Bajram Kovaçi ka biseduar për intensifikimin e veprimtarisë armiqësore dhe për përgatitjen e një kryengritjeje të armatosur në Peshkopi me tradhtarin Panajot Plaku. Për udhëzimet e marra aty i pandehuri Bajram Kovaçi i ka folur të vëllait Isuf Kovaçi. Të pandehuri Bajram e Isuf kanë folur edhe në mbledhjen e organizuar në katundin Blliçe për kryengritjen e armatosur kundër pushtetit popullor…

Bajram Kovaçi, Hakik Kuta dhe Isuf Kovaçi edhe në takimet e mëvonshme midis tyre si armiq të tërbuar të pushtetit kanë vazhduar bisedat për çështjen e organizimit të kryengritjes së armatosur. Faktet e mësipërme i pranuan të pandehurit Hakik Kuta, Bajram Bitri dhe Isuf Kovaçi dhe i mohoi i Bajram Kovaçi. Tre të parët i kanë treguar ngjarjet ashtu siç janë thënë më sipër dhe kanë shtuar se kanë qenë pjesëmarrës direkt në veprimtarinë armiqësore kundër pushtetit popullor. Këta të pandehur hodhën poshtë pretendimin e të pandehurit Bajram Kovaçi se ky nuk ka marrë pjesë në krim. I pandehuri Hakik Kuta ka dëshmuar se Bajram Kovaçi i ka pohuar se ka kaluar disa herë kufirin dhe është takuar me diversantët në Jugosllavi dhe në vitin 1953, në Peshkopi Bajram Kovaçi i kishte treguar për mbledhjen e bërë në katundin Blliçe për organizimin e kryengritjes që do të bëhej në Peshkopi. Isuf Kovaçi ka shpjeguar se në shtator të vitit 1952 së bashku me një shokë tjetër i ka dhënë të dhëna për shkollën e bashkuar të oficerëve “Enver Hoxha” Bajram Kovaçit dhe ky i fundit u ka folur për takimin me Panajot Plakun dhe për mbledhjen e organizuar në Blliçe… Veç krimit të mësipërm i pandehuri Bajram Kovaçi, nga viti 1963 deri në vitin e arrestimit në takime me dëshmitarët Jorgo Bllaci, Pano Taçi, Eqerem Jaupi dhe Jovan Ziu etj., ka zhvilluar biseda me karakter armiqësor. Megjithëse i pandehuri shikonte se si i gjithë vendi dhe Dibra jonë e vogël po shkonte në jubileun e 30-vjetorit të themelimit të Partisë dhe në Kongresin e saj të IV me ballin lart e duart plotë, ai ka thënë se gjendja ekonomike e vendit është e keqe, se tek ne nuk ka liri shtypi e fjale, se këtu ka vetëm diktaturë dhe mungesë të lirive demokratike. Ai ka folur për ndryshimin e situatës me rrëzimin e pushtetit popullor. Ndërkaq Bajram Kovaçi në biseda me dëshmitarët Beqir Zhuka e Jorgo Bllaci ka përhapur informata shtetërore që i dispononte për shkak të detyrës…Për këto arsye, trupi gjykues duke pasur parasysh nenet e Kodit të Procedurës Penale, vendosi ta deklarojë fajtor Bajram Kovaçin për tradhti ndaj atdheut dhe për përhapje të informatave me karakter sekret dhe e dënon me 25 vjet heqje lirie dhe me konfiskim të pasurisë. Vuajtja e dënimit i fillon nga data e arrestimit 10 qershor 1971.
U shpall në kinemanë e Peshkopisë më 27. XI.1971.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit