Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.
Këto komente ai i ka bërë në një adresim dhe diskutim nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, të shoqëruar me një bashkëbisedim me redaktorin për politikë të jashtme të NZZ, Andreas Ernst, ku ishte i ftuar gjatë qëndrimit dyditor në Zvicër.
“Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmirësimin e respektimit të lirive civile dhe të drejtave politike. Këto arritje janë njohur dhe pranuar nga institucione me reputacion, duke përfshirë Transparency International, World Justice Project, Freedom House, V-Dem Institute, etj.”, ka potencuar Kurti.
Tutje, ai ka thënë se ekonomia e Kosovës është gati 50% më e madhe se pesë vjet më parë.“Rritja e PBB-së së Kosovës ka qenë mesatarisht 6.2% gjatë tre viteve të fundit, më e larta në rajon. Nëse krahasojmë me vitin 2019, që ishte viti para pandemisë, ekonomia jonë është gati 50% më e madhe se pesë vjet më parë. Ky është pjesërisht rezultat i shumës më të madhe të investimeve kapitale ndonjëherë në historinë e Kosovës vitin e kaluar.
Por në të njëjtën linjë edhe IHD-të janë rritur me 134% gjatë mandatit tonë të deritanishëm; dhe një raport i këtij gushti nga FDI Intelligence, i sponsorizuar nga Financial Times, e renditi Kosovën të dytin në Evropën në zhvillim — dhe të pestën në botë — për tërheqjen e nivelit më të lartë të IHD-ve në raport me PBB-në.
Nga tremujori i parë i 2021, kur u kthyem në detyrë, deri në tremujorin e parë të 2023, shkalla e papunësisë ra nga 25.8% në 10.7%. Kjo ka përfshirë dyfishimin e punësimit të të rinjve dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë për punësimin e 12 mijë grave”, ka thënë Kurti.