spot_img
Friday, November 1, 2024
spot_img

Gati një vit nga vrasja e Liridona Ademajt, Prokuroria s’tregon pse nuk ka ende aktakuzë ndaj Naim Murselit

Më 29 nëntor të vitit 2023, Kosova u trondit nga një vrasje makabre që ndodhi në Prishtinë. Viktimë  ishte një grua, nënë e dy fëmijëve e cila më pas u identifikua që ishte Liridona Ademaj.

Liridona Ademaj u vra me një plumb në qafë në një zonë të fshehët në fshatin Sinidoll të Prishtinës, aty ku ishte organizuar vrasje makabre.

30 vjeçarja u qëllua derisa ishte në veturë me bashkëshortin e saj, Naim Murseli, i cili më pas rezultoi se ai ishte i përfshirë në vrasjen e saj, duke ngritur kurth për të dhe duke paguar njerëz për ta vrarë Liridona Ademajn, gruan e tij me të cilën kishte 12 vite i martuar.

Ndonëse po bëhen gati një vit nga vrasja që tronditi gjithë vendin, Prokuroria Themelore e Prishtinës ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe dy të dyshuarit tjerë, të cilët janë duke u mbajtur në paraburgim që nga koha kur ka ndodhur vrasja. Tre të dyshuarit po mbahen në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Madje, gati një vit pas krimit makabër që tronditi Kosovën, nga Prokuroria e Shtetit nuk kanë dashur as të flasin lidhur me ngritjen e aktakuzës.

Gazeta ka disa ditë që ka dërguar pyetje lidhur me mosngritjen e aktakuzës, por Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk kanë kthyer asnjë përgjigje, përkundër se mediumi ua ka rikujtuar pyetjet.

Me ligjin për procedurën penale, organi i akuzës ka 2 vite kohë për të kryer hetim për rastet penale, deri në ngritje të aktakuzës. Afati mund të zgjatet edhe për gjashtë muaj, me kërkesën të veçantë nga prokurori i rastit.

Ndërkohë, javën që shkoi Gjykata Themelore në Prishtinë ua ka vazhduar edhe për nga dy muaj të tjerë masën e paraburgimit Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të cilët dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt.

Tre të dyshuarve, masa e paraburgimit iu vazhdua deri më 24 dhjetor 2024.

“Ju njoftojmë se me datë 24.10.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurve N.M, G.P dhe K.K. Të pandehurve N.M, G.P dhe K.K iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej (2) muaj për secilin, e cila masë do ju zgjasë deri me datë 24.12.2024”, tha Gashi.

Fillimisht, tre të dyshuarve, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 dhjetor 2023, ua kishte caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, të cilin vendim e kishte lënë në fuqi edhe Gjykata e Apelit.

Për rastin, më 9 dhjetor 2023, nën dyshimin se ia shiti armën dorasit, ishte arrestuar edhe një person i katërt, të cilit më 11 dhjetor 2023 i ishte caktuar masa e paraburgimit. Por, Gjykata Supreme kishte marrë vendim që t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe të mbrohet në liri pasi ai kishte paraqitur ankesë kundër vendimeve të dy gjykatave më të ulëta të cilat e linin në paraburgim.

Edhe pse për pak javë bëhen një vit nga vrasja, ende nuk dihen motivet e sakta se pse ka ndodhur vrasja e Liridona Ademajt e cila kishte nënshtetësi suedeze bashkë me burrin e saj dhe dy djemtë.

Në këtë rast të dyshuar për vrasjen e Ademajt, janë bashkëshorti i saj Naim Murseli si i dyshuar se organizoi vrasjen, Granit Plava, Kushtrim Kokalla, si dhe T.D..

Liridona Ademaj pas vetës ka lënë dy djem, vrasja e saj kishte nxitur reagime të ashpra në shoqëri.

Naim Murseli, ndryshe ishte figurë e njohur në Kosovë. Ai për një kohë kishte punuar si këshilltar politik i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli dhe konsiderohej si një nga njerëzit më të afërt të biznesmenit.

Dosja e Prokurorisë

Disa orë para se të vritej Liridona Ademaj, i dyshuari për rastin e organizimit të vrasjes së gruas së tij, Naim Murseli ishte takuar me të dyshuarin Kushtrim Kokalla duke i thënë “sot duhet të kryhet kjo punë”, duke aluduar në vrasjen e Ademajt, pretendon Prokuroria në dosjen e saj.

Sipas dosjes, takimi kishte ndodhur në një qendër në Gjakovë në ora 9:30 minuta në mëngjes.

Ky takim kishte ndodhur si rrjedhojë e një takimi rreth një javë para natës kritike, ku Murseli i kishte treguar Kokallës lidhur me “problemet bashkëshortore që është duke pasur me të ndjerën”. “Kokalla ishte munduar t’i bëjë zgjidhje Murselit duke i thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë”- thuhet në dosje.

“Naim Murseli i ka treguar te pandehurit Kushtrim për problemet e tij bashkëshortore me tani të ndjerën Liridona Murseli, i pandehuri Kushtrim i ka thënë ‘unë ta zgjidhi këtë punë’ dhe ndërkohë janë marrë vesh për një aksident të inskenuar”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.

Kështu të dyshuarit kanë inskenuar një aksident të grabitjes, nga i cili kishte rezultuar më pas në vrasjen e Liridona Ademajt.

Sipas dosjes, Kushtrim Kokalla, Naim Murseli së bashku me Granit Plavën ishin takuar në një pompë të derivateve, ku Plava i kishte treguar të dyshuarve se “merret me gjithçka”

Pas këtij takimi Naim Murseli, kishte kërkuar numrin e telefonit të Granit Plavës nga Kushtrim Kokalla,i cili ia kishte dhënë numrin.

Sipas dosjes, Murseli i kishte thënë Kokallës se do të aranzhojë një takim me dorasin, që në këtë rast sipas prokurorisë dyshohet të jetë, Granit Plava.

Sipas kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit, Naim Murseli me qëllim që të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, është marrë vesh me të pandehurin Granit Plava për të kryer këtë akt makabër.

Sipas dosjes, Naim Murseli kishte siguruar armën dhe e kishte pajisur më armë dorasin dhe kanë inskenuar një grabitje, inskenim i cili kishte ndodhur të mërkurën e 29 nëntorit të këtij viti rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi.”

Sipas dosjes, derisa Naim Murseli me bashkëshorten dhe dy fëmijët ishin në makinën e tyre, papritmas del para veturës i dyshuari Granit Plava me masë në kokë dhe revole në dorë ku sipas marrëveshjes paraprake i pandehuri Naim Murseli me fëmijë ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes kinse për të ikur ndërsa në veturë ka mbetur tani e ndjera Liridona Murseli. Ajo nuk kishte arritur të dalë nga vetura, pasi dyshohet se ishte qëlluar në pjesën e qafës më një plumb, duke mbetur e vdekur në vend.

Krejt ky inskenim, sipas dosjes së prokurorisë, ishte bërë pas një premtimi në shumë prej 30 mijë eurosh që Murseli i kishte bërë Plavës për kryerjen e këtij veprimi.

Mbi Naim Murselin rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit