Kryetari i Komunës së Mitrovicës dhe kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, po zhvillon një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hamza ka njoftuar se ka takuar Michael Carpenter, asistentin special të presidentit amerikan, Joe Biden dhe drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë, Kathleen Larkin.
Sipas tij, mesazhi që mori ishte i qartë, duke thënë se SHBA-ja qëndron pranë Kosovës dhe mbështet pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj.
“Vizitën time në SHBA e fillova me një takim me Asistentin Special të Presidentit Biden, Ambasadorin Michael Carpenter, që njëherësh është Drejtor i Lartë për Evropë në Këshillin për Siguri Kombëtare (KSK), si dhe me Drejtoreshën për Ballkan dhe Evropë Qendrore (KSK), znj. Kathleen Larkin. Mesazhi që mora ishte i qartë: SHBA qëndrojnë pranë nesh dhe mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës”, shkroi ai.
Po ashtu, Hamza tha se gjatë diskutimit janë pajtuar që tani është koha për progres në konsolidimin e Kosovës drejt njohjes nga pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, drejt sigurimit të udhërrëfyesit për anëtarësim të Kosovës në Partneritet për Paqe dhe përfundimisht në NATO e BE.
“Këto janë qëllimet strategjike për të cilat folëm gjerësisht. Unë prezantova shkurtimisht vizionin dhe planin tim që Kosova të lëvizë më shpejt përpara drejt zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave në sektorin publik, investimeve kapitale dhe rritjes së mirëqenies së qytetarëve.
Për realizimin e të gjitha këtyre qëllimeve, partneriteti me SHBA është i rëndësisë jetike dhe për Kosovën e mua edhe i pazëvendësueshëm”, shkroi më tej Hamza.