Eksperti i sigurisë Bedri Elezi, ka thënë se pajisja, GPS, që u gjet në veturën e gazetarit Vehbi Kajtazi, nuk është e AKI-së.
Ai ka treguar se AKI-ja përdor pajisje të tjera, dhe jo të tilla si ajo që u gjet në veturën e gazetarit.
“Pajisja (GPS R4I) e gjetur në veturën e Vehbi Kajtazit, nuk mund të jetë MTO e AKI-së.
AKI, përdor MTO – SIIP/EN 26iF dhe jo GPS, të cilat janë në përdorim civil dhe blihen në shumë OE në Kosovë.
Në rast se Vehbi Kajtazi është pjesë e POV të AKI-së, atëherë kemi të bëjmë eventualisht me dy probleme.
1. Zyrtarët e AKI-së, janë duke vepruar në kundërshtim me detyrat dhe përgjegjësitë sipas ligjeve në fuqi
2. I apostrofuari Vehbi Kajtazi është duke u trajtuar si subjekt i AKI-së për aktivitetete, të cilat janë përgjegjësi e AKI-së.
Ne duhet pasur parasysh faktin se AKI-ja nuk ka të drejtë të ndjekë apo përndjekë anëtarë të medias, por gjithashtu duhet pasur parasysh faktin se shërbimet sekrete përdorin edhe media e gazetarë, të cilat kanë mbulesë median, për aktivitetete kundër shtetit, të cilat janë në zonën e përgjegjësisë juridike të AKI-së”, ka shkruar Elezi në një postim në Facebook.
Kajtazi mbrëmë ka deklaruar që GPS që u gjet i vendosur në veturën e tij dyshohet se i përket AKI-së. Sipas tij, pajisja në fjalë është vëzhguese dhe përgjuese.
“Ky regjim ka futur gazetarët si subjekte të përndjekjes dhe hetimit sepse ne nuk i pëlqejmë rëgjimit për shkak të aryre që flasim dhe atyre që shkruajmë dhe ekspozimit të korrupsionit, krimit, që i bëjmë kësaj qeverie. Intensifikimi i përgjimit ka ndodhur në momentin që kam publikuar bisedën e fundit të Mimoza Kusari-Lilës me terroristin Milan Radojiçiq…po flasim për hetim të paligjshëm sepse s’ka vendim të Gjykatës Supreme për këtë çështje”, ka thënë Kajtazi sa i përket deklaratave të tij se është duke u hetuar paligjshëm.