1 nëntori shënon ditëlindjen e një prej komandantëve të parë të UÇK-së, Zahir Pajazitit.
Shoku i Pajazitit, Avni Ajeti, ka bërë një postim emocionues në rrjete sociale.
Ajeti ka thënë se Zahir Pajaziti ka qenë fryma që udhëhoqi në ditët më të errëta dhe drita që ndriçoi rrugën drejt lirisë.
Postimi:
Sot, në ditëlindjen tënde, përulem me krenari dhe nder para kujtimit tënd të përjetshëm, o shoku im dhe heroi ynë, Zahir Pajaziti. Ti ishe dhe do të mbetesh fryma që na udhëhoqi në ditët më të errëta dhe drita që ndriçoi rrugën tonë drejt lirisë. Krah për krah me ty, ne e ndamë një ideal të shenjtë dhe një betim të pathyeshëm për atdheun.
Ti nuk ishe vetëm një shok dhe udhëheqës, por forca që na dha kurajë dhe shpresë në momentet më të errëta. Të kujtoj sot, në këtë ditë të shënuar, me mirënjohje të thellë për guximin dhe sakrificën tënde. Rruga që na tregove është rruga e nderit dhe e përkushtimit ndaj kombit – një rrugë që për ne, bashkëluftëtarët e tu, mbetet përgjithmonë e shenjtë. Zahir, ti mbetesh në zemrat tona si një ideal i pastër dhe i pashuar i lirisë së Kosovës.