Mbi 300 mijë qytetarë u pajisen me pasaportë të Kosovës vetëm nga janari deri në shtator të këtij viti. Numri më i madh i kërkesave ishte në tre mujorin e parë, pas vendimit që kosovarët mund te udhëtojnë pa viza drejt vendeve të zonës Shengen.
Sipas Agjencisë për Regjistrim Civil, numri i kërkesave ka rënë në muajt pasues.
Drejtori ARC-së, Blerim Camaj, bënë të ditur se gjatë këtij nëntëmujori janë lëshuar edhe mbi 206 letërnjoftime.
“Në nëntëmujorin e parë diku janë rreth 206 mijë qytetarë që janë pajisur me letërnjoftime. Ndërsa me pasaporta janë pajisur 352 mijë e 555 qytetarë…Tre mujori i parë ishte shumë, kërkesat ishin të mëdha, tani kërkesat janë më të ulëta. Kemi më pak kërkesa. Jemi në atë suazën normale sikur në vitet e kaluara që ka qenë para liberalizmit të vizave”, thotë Camaj.
Camaj thotë se nga janari deri në shtator janë regjistruar mbi 380 mijë automjete, derisa thekson se nga prilli regjistrimi është kushtëzuar me pagesën e gjobave.
“Sa i përket automjeteve, që nga janari deri më 30 shtator janë regjistruar 380 mijë e 465 automjete…Kushtëzimi i regjistrimit të automjeteve fillon me futjen në fuqi të ligjit për rregullimin e trafikut rrugor që nga 3 prilli. Qytetarëve nuk u lejohet t’i regjistrojnë automjete pa i eliminuar dënimet të cilat janë gjobitur nga policia rrugore. Ky është ligj që duhet të zbatohet. Ndoshta kushtëzimet nuk janë të mira për qytetarët por ne si agjenci ligjet duhet t’i zbatojmë”, thotë Camaj.