spot_img
Friday, December 27, 2024
spot_img

Ish-presidenti shqiptar: Ky politikan është prapa sulmit terrorist në Banjskë, Serbia ka këso qëllimesh ndaj Kosovës

Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë një strategji të përbashkët të mbrojtjes, thotë ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu. Ai thekson se dy vendet duhet të kenë bashkëpunim më të madh edhe ndërmjet shtabeve të ushtrive pasi që vetëm në këtë mënyrë, sipas tij, mund të përballohet çfarëdo lloj aventure e Serbisë.

Në një intervistë për Kp, Moisiu thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ideatori kryesor i agresionit ndaj Kosovës, përmes sulmit terrorist në Banjskë.

Sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit kishte ndodhur më 24 shtator të vitit të kaluar, nga një grup i serbëve të armatosur.

Përgjegjësinë për sulmin terrorist e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, parti kjo e cila ka mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Megjithatë, ish-presidenti i Shqipërisë thekson se dialogu Kosovë-Serbi duhet të vazhdojë derisa kërkon nga autoritetet kosovare koordinim më të madh me aleatët, veçmas me Shtetet e Bashkuara.

Moisiu: Shqipëria dhe Kosova të kenë një strategji të mbrojtjes

“Kam kritikuar edhe qeverinë në Shqipëri dhe atë të Kosovës, pasi duhet të koordinojmë më shumë dhe më mirë. Të kenë një strategji mbrojtjeje të përbashkët si komb. Duhet të bashkëpunojnë dhe ministritë e mbrojtjes dhe shtabet e përgjithshme, të ushtrisë shqiptare dhe të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Në këtë mënyrë ne do të jemi më solid dhe të gatshëm për të përballuar çdo lloj aventure”, thotë ai.

Sipas tij, është e paimagjinueshme që presidenti serb të mos ketë qenë i kyçur në sulmin terrorist në Banjskë.

Moisiu: Vuçiq është prapa sulmit terrorist në Banjskë

“Ai [Vuçiq] është kryetar i shtetit serb. Unë nuk mund të imagjinoj dot se një shtet si Serbia, që është një shtet diktatorial me të thënë të drejtën, se vepron dikush pa e ditur kryetari i shtetit. Unë këtë nuk e imagjinoj dot. Mund të thuhet çkado, por unë nuk e besoj dot. Ai ka qenë brenda dhe ka dorë në këto gjëra [sulmin terrorist në Banjskë]. Kjo është shqetësuese”, deklaron ish-presidenti shqiptar.

Moisiu përmend ambiciet hegjemoniste të Serbisë mbi Kosovën, megjithatë thekson se dialogu i Brukselit duhet të vazhdojë për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Moisiu: Dialogu duhet të vazhdojë, por Serbia ka qëllime hegjemoniste ndaj Kosovës

“Dialogu do të vazhdojë, ajo dihet. Por ata [zyrtarët e Serbisë] kanë qëllimet e veta dhe s’heqin dorë nga ato qëllime. Kam treguar një rast, në vitin 2002, para se të jem president i Shqipërisë kam qenë në Beograd i ftuar në një konferencë. Atje kam takuar një gjeneral të ushtrisë serbe, duke biseduar me të i thash: Çka keni ju, ç’është kjo ‘Kosovë-metohi’? S’ka metohi, kjo është Kosovë. Ai më tha: Zotëri Moisiu, ne tani jemi larguar në kufi me juve, por avash avash po të afrohemi. Shiko çfarë mentaliteti kanë ata. Ata kanë ëndërr akoma se Kosova është djepi i Serbisë. Këto janë vërtet ëndrra, të cilat ata i ushqejnë dhe i mbajnë gjallë”, thotë ai.

Ish-presidenti i Shqipërisë thekson nevojën që udhëheqësit në Kosovë të koordinohen me aleatët, veçmas me Shtetet e Bashkuara, për veprimet në veri.

Moisiu: Kosova duhet të ketë koordinim me aleatët

“Veprimet, politikanët e Kosovës duhet t’i koordinojnë me aleatët tanë, në mënyrë të veçantë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimin Evropian. Në fund të fundit, ata na duan pasi ata na ndihmuan që të krijojmë shtetin e Kosovës. Nuk e krijuan shtetin për ta copëtuar, sigurisht. Ama edhe ne duhet të dimë si të sillemi. Duhet të koordinojmë veprimet. Kjo nuk do të thotë se do të lëshojmë çdo gjë. Jo. Ama duhet të bisedojmë sepse çdo kryeneçësi është në dëmin tonë më shumë…Qeveria e Kosovës ka të drejtë të shqetësohet por pikërisht unë kritikova jo shqetësimin e saj por mënyrën e veprimit. Duhet të bashkëpunojmë me aleatë tanë. Duhet të merremi vesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës se si t’i zgjidhim gjërat më mirë. Kjo nuk zgjidhet menjëherë, por këtu duhet organizim për të gjetur rrugën e bashkëpunimit”, përfundon ai.

Qeveria e Kosovës është kritikuar edhe nga Shtetet e Bashkuara për veprime që ata i kanë konsideruar të njëanshme.

Këtë vit, autoritetet e Kosoves kanë ndërmarrë disa veprime në pjesën veriore të vendit të banuar me shumicë serbe – në mesin e tyre mbylljen e strukturave paralele serbe si dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit