Sunday, October 13, 2024
spot_img

Si po ndryshon harta globale e energjisë, dy tregjet rivale që drejtohen nga SHBA-ja dhe Rusia

Të nxitur nga trazirat gjeopolitike, që të kujtojnë gjithnjë e më shumë vitet 1930, tregjet globale të energjisë janë duke u polarizuar. Retorika midis kombeve është e fortë, distancimi ekonomik është shfaqur si një konsideratë thelbësore e politikës së jashtme, dhe qeveritë po nxiten që të bëjnë dallimin midis miqve dhe armiqve të tyre.

Kjo nuk është askund më e dukshme se sa në tregjet globale të energjisë, duke filluar nga nafta dhe gazi deri te energjia e rinovueshme. Në njërën anë të kësaj ndarjeje, gjendet një grupim vendesh autoritare të drejtuara nga Kina dhe Rusia, duke përfshirë Iranin, Korenë e Veriut dhe Venezuelën.

Në kampin tjetër përfshihet Amerika e Veriut, Evropën dhe vendet e përparuara ekonomikisht të Azisë si dhe pjesë të Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine dhe Karaibeve. Një numër vendesh të tjera, shumë prej tyre anëtarë të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), qëndrojnë në mes, në një pozitë jo të këndshme.

Tendenca drejt dy sistemeve të ndryshme të tregut të energjisë, ka të ngjarë të përshpejtohet ndërsa konkurrenca gjeopolitike do të përshkallëzohet në vitet e ardhshme. Tregjet e naftës dhe gazit dominohen nga Shtetet e Bashkuara, Kina, Rusia dhe vendet e OPEC-ut (ku kryesori është Arabia Saudite).

Këto vende drejtojnë një rrjet kompleks të eksplorimit të energjisë, zinxhirëve të furnizimit, produkteve industriale, korporatave të mëdha shumëkombëshe dhe kompanive shtetërore. Elementet tradicionale të tregtisë globale të energjisë, janë përdorimi i dollarit amerikan për transaksionet, standardet e biznesit të pranuara ndërkombëtarisht që ofrojnë transparencë dhe institucionet financiare të dominuara nga Perëndimi.

Vitet e fundit, ky sistem, që ka qenë relativisht i hapur dhe në favor të flukseve të mëdha të energjisë midis Rusisë dhe Evropës dhe Gjirit Persik dhe Kinës, është bërë më i politizuar dhe problematik. Arsyet mbi ndryshimin e natyrës së tregjeve globale të energjisë, mund të gjenden në 4 zhvillime të mbivendosura.

I pari është rigjallërimi i industrisë së naftës dhe gazit në SHBA. Prodhimi amerikan i naftës ra në gjysmën e dytë të shekullit XX-të, duke e lënë ekonominë e Amerikës së Veriut të varur nga burimet e jashtme, si Arabia Saudite, Iraku dhe Venezuela.

Megjithatë, shqetësimi për sigurinë kombëtare, nevoja për të fituar një pavarësi më të madhe energjetike dhe shfrytëzimi i teknologjive të reja, riaktivizuan fushat e naftës dikur djerrë, dhe e lehtësuan zbulimin dhe shfrytëzimin e rezervave të mëdha të gazit.

Për pasojë, gjatë dy dekadave të para të shekullit XXI, Shtetet e Bashkuara u rishfaqën si një eksportues kryesor në tregjet globale të energjisë. Në mars të këtij viti, Administrata e Energjisë e SHBA- së njoftoi se Shtetet e Bashkuara “prodhuan më shumë naftë bruto se sa çdo vend tjetër ndonjëherë”.

Zhvillimi i dytë, është përdorimi i sanksioneve ekonomike nga Perëndimi. Motivimi për vendosjen e sanksioneve, zakonisht kundër individëve dhe kompanive, është të shkaktojë dëme ekonomike dhe të detyrojë modifikimin e sjelljes nga një qeveri e caktuar (si Irani dhe Koreja e Veriut me programet e tyre të armëve bërthamore) apo të reduktojë stimujt për t’u angazhuar ekonomikisht me vendet e tjera që ndodhen nën sanksione.

Si sanksionet ekonomike të SHBA-së ashtu edhe ato evropiane janë përdorur kundër eksportuesve të naftës dhe gazit, Iranit, Rusisë dhe Venezuelës , si dhe ndaj konsumatorëve të naftës dhe gazit, Kinës dhe Koresë së Veriut. Ndërsa sanksionet ekonomike e kanë prishur tregun e energjisë, vendet e prekura kanë krijuar kanale paralele për të përballuar me sukses shumicën e sanksioneve.

Zhvillimi i tretë, është që Kina dhe Shtetet e Bashkuara ndodhen në një Luftë të re të Ftohtë midis tyre. Pekini po synon të zëvendësojë Shtetet e Bashkuara në rolin e hegjemonit global, duke e përçmuar rolin e Shteteve të Bashkuara në botë, duke përdorur forcën ekonomike përmes programeve si Nisma e Brezit dhe Rrugës , duke reduktuar ekspozimin e saj ndaj instrumenteve financiare amerikane (si bonot e thesarit të SHBA), dhe duke siguruar  zinxhirët e saj të furnizimit global, veçanërisht për naftën dhe gazin, si dhe për materialet më jetike për prodhimin e automjeteve elektrike dhe baterive.

Grupi i fundit i mallrave, pasqyron rolin dominues të Kinës në energjinë e rinovueshme, duke kontrolluar më shumë se 80 për qind të tregut global të prodhimit të paneleve diellore dhe 65 për qind të kapacitetit global të erës, ndërsa dominon edhe në prodhimin e automjeteve elektrike dhe baterive. Ndërsa synon të dominojë peizazhin e ri të energjisë, Kina do të vazhdojë ta përdorë naftën, gazin dhe qymyrin, si një urë drejt një bote më neutrale ndaj karbonit.

Zhvillimi i katërt është lufta Rusi-Ukrainë, e cila shpërtheu në shkurt 2022. Pushtimi rus, ishte një katalizator i madh drejt ekosistemeve paralele të energjisë. Në vitin 2021, Rusia përbënte 45 për qind të importeve totale të gazit për Bashkimin Evropian, dhe një nga burimet kryesore të naftës.

Megjithëse BE-ja importon ende naftë dhe gaz nga Rusia, ka pasur një përpjekje të madhe për t’u shkëputur nga Moska dhe gjetur burime të tjera, si Angola dhe Guajana. Por janë Shtetet e Bashkuara, ato që kanë zëvendësuar Rusinë si burimin kryesor të naftës të BE-së, pasi vitin e kaluar zinin 46 për qind të importeve të gazit natyror të lëngshëm (LNG).

Bashkëpunimi më i ngushtë energjetik SHBA-BE ka të ngjarë të vazhdojë.  Ndërsa kombinimi i faktorëve të mësipërm po shtyn drejt një ndërvarësie dhe bashkëpunimi energjetik më të madh midis Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, si dhe nga një pjesë e vogël e prodhuesve globalë të naftës dhe gazit, ai po nxit gjithashtu edhe një bashkëpunim më të madh midis Kinës, Rusisë, Iranit, Koresë së Veriut dhe Venezuelës.

Në vitin 2023, Rusia u bë furnizuesja më e madh me naftë e Kinën, duke ia kaluar Arabisë Saudite. Eksportet ruse të naftës në Kinë, arritën në mbi 60 miliardë dollarë. Rusia është gjithashtu një furnizuese kryesore e gazit natyror për Kinën, me shifra rekord në vitet 2023- 2024.

Një element tjetër i sistemit polarizues të energjisë, është trekëndëshi Iran-Kinë-Rusi. Sanksionet perëndimore ndaj naftës dhe gazit iranian dhe rus, si dhe ndërmjetësve financiarë, kanë sjellë krijimin e një sistemi shkëmbimi të errët që funksionon jashtë sistemit ekonomik perëndimor.

Të nxitur nga gjeopolitika, të dyja këto blloqe po krijojnë sistemet e tyre ekonomike të energjisë bazuar në tregtinë brenda bllokut, investimet, përdorimin e monedhës dhe zhvillimin e tregut. Kjo qasje, i minon lidhjet e përbashkëta midis këtyre dy grupeve dhe nxit procesin e de-globalizimit.

Po ashtu, ajo hedh hije dyshimi tek shumë vende prodhuese të naftës dhe gazit si Brazili dhe Gana, por edhe tek vetë OPEC, që nuk do të marrë anë. Polarizimi i tregjeve të energjisë, bëhet edhe më i ndërlikuar kur merret parasysh shfaqja e energjisë së rinovueshme.

Në këto kushte, politikë-bërësit kanë dy opsione:të sigurojnë më tej zinxhirët e tyre të furnizimit global dhe të thellojnë përpjekjet e tyre energjetike, ose të kenë një qasje të ashpër në politikën e jashtme për të qetësuar një botë gjithnjë e më të polarizuar, dhe për të shmangur një distancim ekonomik akoma më të theksuar.

Duke marrë parasysh gjendjen aktuale të punëve, ka të ngjarë të mbizotërojë opsioni i parë, diçka që duhet të merret parasysh nga cilido që do të hyjë në Shtëpinë e Bardhë në janarin e vitit 2025.

Polarizimi i tregjeve të energjisë do të vazhdojë, duke reflektuar zgjerimin e ndarjes gjeopolitike midis dy grupimeve, duke sjellë fundin e mundshëm të një sistemi ekonomik ndërkombëtar, që ashtu si vitet 1930 është dëmtuar dhe polarizuar nga një rrjet tarifash dhe sanksionesh, fryt i rivaliteteve të egra gjeopolitike.

*Shënim:Scott B.MacDonald, krye-ekonomist i qendrës kërkimore “Smith’s Research & Gradings”. Alejandro Trenchi, ndihmës në qendrën “Global Americans”.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit