Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, prej disa ditësh po tregon publikisht për telefonatën që ka pasur me Milan Radoiçiqin, njeriun që siguroi votën e fundit për zgjedhjen e Vjosa Osmanit në postin e presidentes. Në intervista televizive dhe statuse në “Facebook”, Pacolli ka treguar fakte që e dëshmojnë një gjë të tillë.
Pretendimet e deputetit Pacolli kanë nxitur reagime të shumta në vend. Çuditërisht ndaj deklarimeve të tij nuk ka reaguar Presidenca. Pavarësisht interesimit të mediave, deri me tani presidentja Vjosa Osmani, nuk e ka thënë asnjë fjalë për ndikimin e Listës Serbe në procesin e zgjedhjes se saj në pozitën e shefes se shtetit.
Ndaj pretendimeve të shefit të AKR-së nuk ka reaguar as kryeministri Albin Kurti, i cili, sipas Pacollit, ka qenë prezent kur e ka realizuar telefonatën me Radoiçiqin për të siguruar votën e deputetit Adem Hoxha. Pohimet e tilla ekzekutivi është munduar t`i mohoi vetëm përmes zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu.
Pavarësisht heshtjes se presidentes Osmani dhe kryeministri Kurti, Pacolli ka dhënë detaje të rëndësishme që dëshmojnë se telefonata me ish-nënkryetarin e Listës Serbe ka ndodhur në prani të dy liderëve institucionalë.
Gjatë një interviste në RTV Dukagjini, Pacolli ka treguar se telefonata në fjalë është realizuar pas mesnate.
“Ka qenë ora 12:30 pas mesnate dhe më kanë thirrur që të shkoj në Kuvend dhe kam shkuar në zyrën e kryetares së Kuvendit, kam hyrë, nuk kam qenë vetë kam qenë me persona tjerë. Një person ka bërë edhe fotografi, zotëri Kurti ka qenë ulur para meje më një kolltuk dhe në anën tjetër ka qenë zonja presidente. Unë isha kthyere nga Turqia me një avion privat që të votoj për Osmanin”, ka thënë Pacolli, duke dhënë detaje tjera.
“Unë kam pasur një komunikim me zotin Radojçiq, ju e dini jam takuar edhe në jaht. Rastësisht e kam takuar dhe e kam ditur kush është. Dhe ai emër është dëgjuar kur është bërë nënkryetar i Listës Serbe. Dhe kam thënë se ndoshta e gjej numrin e tij të telefonin te një koleg i juaj. Kam telefonuar një gazetar dhe ma kanë dhënë numrin tij”, është shprehur Pacolli.
Ndër të tjera, ai ka treguar se vetëm pak kohë me vonë Radoiçiqi ia ka konfirmuar votën e deputetit Hoxha.
“Në momentin e parë (Radojçiqi) nuk ka pranuar me dërgu askënd. Dhe kam qenë shoferin duke shkuar në shtëpi, në makinë, kur më ka thirr dhe më ka thënë shiko po më vjen shumë rënë mos më implementuar këtë që po ma kërkon. Më thotë nesër në ora tre, deputeti Adem Hoxha është para parlamentit dhe do të jetë prezent. Dhe kjo ka ndodhur. Besoj që i kam shërbyer vendit dhe zotit Kurti dhe zonjës presidente”, ka shtuar Pacolli.
Për këtë çështje, kryetari i AKR-së ka shkruar edhe disa statuse në profilin e tij në “Facebook”.
Ndaj tyre ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
Ky i fundit ka thënë se kryeministri Kurti nuk ka qenë prezent në takimin që po e përmend Pacolli.
“Edhe një herë, në asnjë bisedë telefonike që ka bërë deputeti Behgjet Pacolli me kriminelin Millan Radoiçiq, e të cilën ai vetë po e pranon, nuk ka qenë i pranishëm kryeministri Albin Kurti”, ka thënë Kryeziu.
Shtohen dyshimet për pazare
Deklarimet e deputetit Pacoolli kanë nxitur reagime të shumta në vend.
Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së, ka publikuar fotografinë nga votimi i Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës.
Në komentin e fotografisë, Molliqaj ka vlerësuar se në fotografi shihen dy deputetët “lojalë të Listës Serbe”, Adem Hodza dhe Fadil Gashi, “duke votuar për zgjedhjen” e Osmanit për presidente.
Sipas Molliqajt, pazari ka qenë i dukshëm.
“Këta janë Adem Hodza dhe Fadil Gashi, dy deputetë lojalë të Listës Serbe duke votuar për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente. Pa votat e tyre Vjosa nuk zgjedhej. Pazari ka qene i dukshëm. Koordinimi i fshehtë. Këta mungojnë në dy seancat e para, por pas koordinimit, paraqiten në seancën e tretë”, ka shkruar ai.
Kurse, politologu Shkodran Ramadani ka treguar pazaret e Qeverisë Kurti me votat e deputetëve.
Ai ka vlerësuar se në këtë mandat janë bërë dy pazare të pista, të cilat kanë mundësuar zgjedhjen e Vjosa Osmanit si presidente.
Në profilin e tij në “Facebook”, Ramadani ka shkruar se Qeveria Kurti ka bërë Pazar me Milan Radoiçiqin për votën e deputetit Adem Hoxha dhe me familjen Grainca për votën e deputetes Adelina Grainca.
“Pazaret e pista me vote te deputeteve e vullnet te popullit jane bere shume heret ne kete qeveri. Per ta bere Vjosa Osmanin Presidente, kjo qeveri beri pazar me Radojçiqin per voten e Adem Hoxhes (deputet goran, por i kontrolluar nga kryeterroristi Radojçiq) dhe per voten e Adelina Grainces beri pazar me Familjen Grainca, ata qe VV i quante “Mafi e Betonit”. Posti i Presidences keshtu u ndot me ngjyren e piste te dallavereve dhe sot e asaj dite kjo qeveri terheq zvarre dinjitetin e nje populli te tere ne balten e koordinimeve kriminale me terroristet dhe armiqte e Kosoves. Eshte me se e qarte se mbrapa fasades se vullnetit te popullit qendrojne apetitet e tuxhareve te pangopshem qe vjedhin besimin e popullit, ujin e Kosoves, buken e ushtarit, rrymen e shtetit dhe te verteten historike te vendit tone”, ka shkruar Ramadani.