spot_img
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Veprimet e qeverisë në veri, manovra për vota – Eksperti ndërkombëtar: “Kurti s’ka asgjë për të humbur”

Një aksion i fundit policor në veri të vendit rrezikon të thellojë çarjen në marrëdhëniet midis Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, vlerësojnë njohës të çështjeve politike, ndërsa e cilësojnë të vështirë rrugën drejt kapërcimit të situatës aktuale, posaçërisht duke pasur parasysh refuzimin e deritanishëm të Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërkesave të aleatëve.

Shtetet e Bashkuara (SHBA) dhe Bashkimi Evropian (BE) pothuajse vazhdimisht e kanë qortuar ekzekutivin për çfarëdo vendimi që potencialisht tensionon situatën në veriun e trazuar. Ata sëfundmi shprehën drojën për mbylljen e degëve të Postës së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, duke shtuar se “veprimet e pakoordinuara” rrezikojnë t’i eskalojnë tensionet.

Toby Vogel, ekspert nga Këshilli për Politikat e Demokratizimit (DPC), përkundër se refuzon të komentojë drejtpërdrejt mbylljen e degëve postare serbe në katër komunat veriore të Kosovës, konsideron se për shkak të ngecjes në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, kryeministri kosovar, Albin Kurti, s’ka asgjë për të humbur.

“Nuk dua të komentoj drejtpërdrejt mbylljen e këtyre degëve, sepse nuk kam një pasqyrë të plotë të asaj që ka ndodhur. Megjithatë, konteksti më i gjerë është i qartë: Kurti ka vendosur që dialogu ka vdekur dhe se marrëdhëniet e qeverisë së tij me aleatët perëndimorë të Kosovës janë aq të këqija saqë ai nuk ka asgjë për të humbur”, thekson Vogel kur pyetet për zhvillimet.

Drejtori i Institutit për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), Lulzim Peci, në një intervistë për Radio Evropa e Lirë të martën, potencon se veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës në pjesën veriore të vendit, janë duke e thelluar çarjen mes Kosovës dhe pjesës tjetër të partnerëve ndërkombëtar, derisa parasheh edhe një “përplasje të madhe” në horizont.

“Kosova është duke shkuar në drejtim të një përplasjeje të madhe me bashkësinë ndërkombëtare. Mirëpo, Kosova nuk ka kapacitet që ta dëmtojë bashkësinë ndërkombëtare. Mund ta dëmtojë vetëm vetveten”, deklaron ish-diplomati kosovar, derisa shton se kritika ndërkombëtare nuk ka të bëjë me veprimin – mbylljen e zyrave postare – sa ka të bëjë me qasjen e qeveris.

“Edhe për këtë arsye ata nuk dëshirojnë që të jenë të tejkaluar për veprime, të cilat merren nga Policia e Kosovës në veri të vendit, duke e pasur parasysh edhe përgjegjësinë e tyre, që e kanë meqenëse, mendimi im është që, ata nuk dëshirojnë të kurthohen në ndonjë tension ndëretnik apo diçka të ngjashme, pa qenë paraprakisht të njoftuar”, u shpreh mes tjerash Peci.

E duke qenë se Kosova shpejt do ta hapë sezonin zgjedhor – një kohë kur qytetarët fillojnë t’i kushtojnë shumë vëmendje fushatës elektorale – kapitalizimi i tensioneve në terren mund të jetë i një rëndësie më të madhe për kryeministrin kosovar sesa përpjekja për t’i shëruar marrëdhëniet e lënduara mes kombit të vogël dhe aleatëve perëndimorë, nënvizon Vogel.

“Ndryshe, mobilizimi i votuesve është më i rëndësishëm tani sesa përpjekja për të riparuar marrëdhëniet me Uashingtonin dhe Brukselin. Gjithashtu, duhet thënë se edhe kur marrëdhëniet kanë qenë të mira, Kosova nuk ka marrë asnjë rezultat nga dialogu… Pra, analiza e tij fillestare është ndoshta e saktë – por është shumë e vështirë rrugëdalja nga kjo ngecje aktuale”.

Përkundër se situata e përgjithshme në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, akoma perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Po ashtu, përderisa terreni i kërkimit të madh për “përgjigjet” dhe “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë edhe në muajt në vijim, mbetet për t’u parë nëse lista e “skenarëve të dhunës” që mund të rezultojnë për shkak çështjeve të hapura dhe tensioneve ekzistuese do të zgjerohet.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit