RTK nuk e ka transmetuar sot një pjesë të seancës së jashtëzakonshme, e cila u thirr nga opozita e në të cilën nuk morën pjesë deputetët e VV-së.
E dpeutetët e opozitës, e ndërprenë seancën në Kuvend për të shkuar para objektit të RTK-së në shenjë proteste dhe mbajtën një konferencë për media.
Ata thanë se kjo është një tendencë e qartë për “të mbytur zërin e deputetit”.
Armend Zemaj nga LDK tha se ky reagim i tyre është thirrje për qytetarët e Kosovës.
“Ne e kemi thënë me kohë që kapja e këtij institucioni e ka qëllimin devalvimin e vlerave në shoqëri dhe mbytjen e demokracisë. Sot është kulmi i pafytyrësisë edhe të asaj pak shprese që dikush mund të frymojë lirshëm në Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe të kryejë detyrat dhe autorizimet ligjore”.
“Seanca nuk u transmetua në kanalin zyrtar të RTK-së që nënkupton mbytje të zërit të deputetit, fshehje nga e vërteta, të cilat po ndodhin nga skandalet e shpërfaqura çdo ditë nga aferat korruptive. Ky reagim i joni është thirrje për qytetarët e Kosovës, punëtorët që janë pas nesh, thirrje edhe për atë pak moral që ka mundur të mbesë në sedrën e tyre”, u shpreh ai.
Ndërkaq, Besnik Tahiri nga AAK kërkoi përgjegjësi të atij që kanë dhënë urdhër për të mos e transmetuar një seancë e që është edhe obligim ligjor i mediumit publik.
“I themeluar nga Kuvendi i Republikës dhe ky institucion i jep llogari deputetëve të Kuvendit. Seancat parlamentare janë detyrë, obligim ligjor e kushtetues, të cilët duhet t’i përmbushë ky institucion mesazhet e përfaqësuesve të popullit. Në një seancë që po trajtohet një super-skandal i kësaj qeverie për fjalimin e kryeministrit që ishte në një konferencë tregon shumë saktë, drejt e shpërfytyron regjimin e Kurtit se duan ta ndalin fjalën, debatin, argumentin dhe të mashtrojnë popullin e të fshehin”, ka potencuar ai.