Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni, deklaroi në senat se marrëveshja me Shqipërinë për emigrantët mund të zbatohet edhe nga shtetet e tjera jashtë Bashkimit Evropian.
Ajo falënderoi në veçanti kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për arritjen e kësaj marrëveshjeje.
“Dy qendrat në Shqipëri filluan të funksionojnë, jemi shumë të kënaqur. Kjo është një rrugë e re, e guximshme, që mund të ndiqet me vendet e tjera që janë jashtë Bashkimit Evropian. Falënderoj kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe gjithë qeverinë e tij për besimin”, ka thënë ajo.
Meloni ka shpjeguar dhe arsyen e vonesës për hapjen e dy qendrave në Shqipëri.
“Ne morëm pak kohë për t’u siguruar që gjithçka të ishte bërë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatet e kësaj pune”.
Marrëveshja për emigrantët mes Shqipërisë dhe Italisë po shihet me interes nga shumë shtete të BE-së kundër fenomenit të emigracionit.
Ajo u nënshkrua në fund të vitit të kaluar mes dy qeverive.