Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se aksioni i Qeverisë së Kosovës ku janë mbyllur nëntë objekte të Postës së Serbisë në veri është kundër dialogut Kosovë – Serbi dhe se ky veprim çon në tensione të reja.
Në një konferencë për media, Stano u shpreh se në kuadër të dialogut po shohin më shumë veprime të pakoordinuara nga Qeveria e Kosovës.
Sipas tij, ky veprim është një tjetër shembull i “veprimeve të njëanshme nga Qeveria Kurti”.
“E konsiderojmë si hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar pikërisht për arsyet që i listuam në deklaratën e lëshuar mbrëmë. Palët, Kosova e Serbia, kanë arritur një marrëveshje në vitin 2013 për telekomunikim, ku thuhet se shërbimet postare do të diskutoheshin në faza të më vonme. Që nënkupton se kishte dialog të përfshirë në zgjidhjen e këtyre çështjeve. Për fat të keq, ajo që bëri qeveria e Kosovës dhe autoritetet atje gjatë ditës së djeshme, ishte absolutisht e pa koordinuar dhe do të ketë pasoja negative për njerëzit në veri të Kosovës, dhe është një shkelje e marrëveshjes së dialogut, për çka edhe lëshuam edhe deklaratën dhe ishim shumë të qartë. Kjo është kundër dialogut, dhe një tjetër shembull i veprimeve të njëanshme e të pakoordinuara të administratës së Kurtit”, ka vijuar Stano.