Grupi i parë i kapitujve i hap rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera.
Një moment historik për Shqipërinë.
Këtë të martë të 15 tetorit në Luksemburg do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian.
Takimi do të fillojë në orën 08:00, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama, kryenegociatorja, Majlina Dhuka si dhe ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani.
Në tryezë do të jenë dhe të gjithë zëvendësministrat, të cilët përfaqësojnë sektorët e kapitujve të negocimit që do të hapen sot, të njohura ndryshe si “Themeloret”.
Grupi i Parë i Kapitujve i hap rrugën fillimit të negociatave për grupe të tjera. Progresi në këto reforma do të përcaktojë gjithashtu ritmin e përgjithshëm të negociatave.
Sipas metodologjisë së zgjerimit të BE-së, e rishikuar për herë të fundit në vitin 2020, Cluster 1 (Grupi i Parë i Kapitujve) hapet i pari dhe mbyllet i fundit.
Kapitujt e Cluster 1
Ky grup përbëhet nga pesë kapituj, të cilët do të hapen njëkohësisht, duke qenë kapitujt e parë të hapur në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar.
Kapitulli 23 mbi Gjyqësorin dhe të Drejtat e Njeriut synon të arrijë një sistem gjyqësor të paanshëm dhe efikas që garanton sundimin e ligjit dhe zbatimin efektiv të tij.
Ai synon gjithashtu të garantojë një proces të rregullt bazuar në parimet kushtetuese dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ky kapitull përbëhet nga funksionimi i gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit dhe të drejtat themelore.
Pas tij vjen Kapitulli 24 për Drejtësinë, Lirinë, Sigurinë, i cili synon ruajtjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të unionit si një zonë lirie, sigurie dhe drejtësie.
Ai kërkon nga Shqipëria një kapacitet administrativ të fortë dhe të mirëintegruar brenda agjencive ligjzbatuese dhe organeve të tjera përkatëse, të cilat duhet të arrijnë standardet e nevojshme.
Pjesa më e detajuar dhe më e rëndësishme është acquis i Shengenit, i cili përfshin heqjen e kontrolleve të kufirit të brendshëm dhe lëvizjen e lirë brenda BE-së.
Lufta kundër krimit të organizuar, lufta kundër terrorizmit, migrimi i ligjshëm dhe i parregullt, azili dhe bashkëpunimi gjyqësor në çështjet penale dhe civile janë disa nga çështjet e tij.
Kapitulli tjetër ai numër 5 – Prokurimi Publik – bazohet në respektimin e parimeve të përgjithshme të transparencës, trajtimit të barabartë dhe konkurrencës së lirë në lidhje me dhënien e kontratave publike në sektorë të veçantë.
Sakaq, kapitulli 18 mbi Statistikat kërkon respektimin e disa parimeve bazë të institucionit statistikor si paanshmëria, besueshmëria, transparenca, mbrojtja e të dhënave personale, si dhe publikimi periodik i statistikave zyrtare bazuar në rëndësinë e tyre për shtetin dhe individin.
Kapitulli i fundit është ai i Kontrollin Financiar, i cili fokusohet në kontrollin e brendshëm financiar publik bazuar në parimin e decentralizimit.
Aspekti unik i këtij kapitulli është se ai kërkon një organ auditimi të jashtëm të pavarur, i cili raporton periodikisht në parlamentin kombëtar në lidhje me përdorimin e fondeve publike.
Shqipëria do të bëjë kështu hapin tjetër në negociatat e anëtarësimit me BE-në, pas hapjes zyrtare të negociatave në korrik 2022.
Ajo do t’i bashkohet Malit të Zi dhe Serbisë si vendi i tretë i Ballkanit Perëndimor që hap kapitujt e negociatave.
Muajin e kaluar, Shqipëria u shkëput nga Maqedonia e Veriut, e cila mbetet e bllokuar në rrugën e saj të anëtarësimit për shkak të vetos së Bullgarisë. Vendimi u kritikua nga analistë.