“Gjatë dhjetë vjetëve të Procesit të Berlinit, asnjë vend nga Ballkani nuk është afruar me BE-në dhe nuk ka asnjë shans që kjo të ndodhë në pesë vjetët e ardhshme”, ka thënë kryetari i enklavës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë, të ashtuquajtur Republika Serbe, Milorad Dodik.
Dodik këtë ka deklaruar para samitit të sotëm të Procesit të Berlinit në Berlin dhe ka vënë në dukje se “gjithçka ka të bëjë me një tregim që ne t’i lejojmë njerëzit të hyjnë në Bosnje dhe Hercegovinë me letërnjoftime të Kosovës”,
Ai ka përsëritur se Bosnja dhe Hercegovina nuk e njeh pavarësinë “e shpallur në mënyrë të njëanshme” të Kosovës dhe për këtë arsye “nuk mund të pranojë asnjë lloj bisede përveç marrëdhënieve zyrtare me Serbinë”.
“Ata që duan të vijnë këtu mund ta bëjnë këtë me dokumente të lëshuara nga Republika e Serbisë dhe për këtë nuk ka problem. Megjithatë, ne kemi parë se nga procesi i Berlinit ka disa presione të llojit që nuk mund të zgjidhen derisa BeH ta njohë Kosovën, nëse ndonjëherë e njohin atë”, ka thënë Dodik mbrëmë në një deklaratë për televizionin lokal RTRS.
Sot në Berlin po mbahet samiti i Procesit të Berlinit, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian.