Sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës do të mbahet seanca për sulmin famëkeq të Banjskës, që la të vdekur ish-rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.
Seanca e sotme vjen dy javë pas seancës fillestare, dhe katër javë pasi Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, të dyshuar si pjesëtarë të grupit paramilitar serb që, në orët e hershme të 24 shtatorit marshoi drejt manastirit të Banjskës, ku edhe ndodhi shkëmbimi i madh i zjarrit mes grupit terrorist, në krye me Milan Radoiçiqin, dhe Policinë e Kosovës.
Seanca e sotme do të fillojë në ora 09:30, ndërkaq si të pandehur pritet të jenë vetëm tre nga 45 të dyshuarit.
Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq janë tre të dyshuarit që prej 24, respektivisht 25 shtatorit gjenden në masë të paraburgimit.
Të dyshuarit ishin kapur në vendin e ngjarjes, pasi me sukses u neutralizuan nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës.
Për 42 të pandehurit e tjerë të rastit “Banjska” është propozuar që gjykimi të mbahet në mungesë të tyre.
Seanca fillestare e dy javëve më parë u shtye për shkak se avokatët e të dyshuarve deklaruan se nuk iu ishte ofruar kohë as atyre e as klientëve të tyre për të lexuar aktakuzën e plotë dhe për të shqyrtuar të gjitha dëshmitë dhe provat që pala e akuzuar kishte marrë, si pjesë e aktakuzës së ngritur.
Në këtë proces gjyqësor do të përfaqësohet familja e Afrim Bunjakut, nëpërmjet avokatit Arianit Koci, teksa në seancën e dy javëve më parë ishin prezent edhe kolegët e Bunjakut që u lënduan në ditën kritike