Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të mëdha.
Një nga problemet shqetësuese është edhe ikja e profesionistëve shëndetësorë nga Kosova për të kërkuar punë në vende të ndryshme të botës dhe mungesa e tyre në sistemin shëndetësorë vendor.
Mungesë të profesionistëve po vërehet edhe tek Klinika e Anesteziologjisë.
Në lidhje me këtë çështje ka folur drejtori i kësaj klinike, Gazmend Spahija.
Sipas tij, në Klinikën e Anesteziologjisë janë 49 anesteziologë të punësuar.
Ai thotë se ky numër është i vogël për Klinikën, i cili po pamundëson aktivizimin e të gjitha njësive që kërkohet.
Spahija thotë se shpeshherë detyrohen të mbajnë kujdestarinë 24 orësh për shkak të mungesës së Anesteziologëve.
“Momentalisht në Klinikën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv janë të angazhuar 49 anesteziologë. Është problem për klinikën ky numër i vogël i që pamundëson aktivizimin e të gjitha njësive ku kërkohet anesteziolog në të njëjtën ditë. Ky numër na detyron që ta mbajmë kujdestarinë 24 orësh shumë shpesh”, deklaroi Spahija.
Drejtori i kësaj klinike është shprehur se mungesa e anesteziologëve në këtë klinikë është evidente, pasi ka angazhime në shumë njësi punuese.
Ai ka treguar se cilat janë arsyet që çojnë mjekët deri në largimin e punës.
“Oferta më e mirë e pagës disa herë( deri në shtatë herë) në sektorin privat se sa në QKUK dhe volumi më i vogël i punës shtyhen anesteziologët ta lëshojnë punën. Anesteziologët-specialistët kryesisht largohen për në sektorin privat në Kosovë. Mungesa e anesteziologëve është evidente pasi që duhet të angazhohemi në 40 njësi punuese dhe duke menaxhuar tri njësi intensive dhe në pesë njësi ku kryhen rastet emergjente”, u shpreh Spahija.
Ndryshe, 67 mjekë këtë vit ikën nga Kosova, ndërsa 227 infermierë kanë kërkuar licencë të plastifikuar dhe 95 vërtetim të Kodit Etik, shkruan Front Online.
E, profesionistë shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se për këtë dukuri duhet të ndërmerren masa urgjente, në mënyrë që të zvogëlohet numri i ikjes së mjekëve nga Kosova.