Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë të tilla raste eskalojnë, duke ua vështirësuar punën Policisë.
Kështu dyshohet se ndodhi gjatë ditës së djeshme në fshatin Gllarevë të Klinës, ku Policia u ballafaqua me dy persona.
Burimet e Gazetës kanë bërë me dije se Policia ka qenë në një pikë kontrolli, kur ka urdhëruar ndalimin e një veture, e cila nuk zbatoi urdhrat zyrtarë dhe iku.
Njësia policore i është vënë pas veturës në fjalë për ta ndalur, por është përballur me një situatë jo fort të zakontë.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se pasagjeri që ndodhej në këtë veturë ka arritur të hidhet nga automjeti që ishte në lëvizje dhe ka ikur.
Megjithatë, Policia e ka ndalur veturën dhe e ka arrestuar shoferin e dyshuar, i cili është shoqëruar më pas në stacion policor.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për kryerjen e veprës penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’ dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.