Me homazhe në Kazermën ”Skënderbeu” dhe me ceremoni ushtarake në varrezat e veteranëve në Komunën e Shtimes dhe në praninë e familjarëve, miqve, shokëve e bashkëluftëtarëve, oficerëve e nënoficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u varros me nderime të larta ushtarake pjesëtari i FSK-së, Rreshter i Klasit të Parë Arsim Vishesella.
Homazhet pranë arkivolit të rreshter Arsim Vishesella janë mbajtur në Kazermën “Skënderbeu” në Ferizaj ku i bënë nderime ushtarakë dhe kolegë nga FSK-ja, familjarë, përfaqësues institucionesh, bashkëluftëtarë, miq e shokë.
Nga kazerma “Skënderbeu” ceremonia e varrimit me nderime ushtarake ka vazhduar sot, në varrezat e veteranëve në Shtime në praninë e shumë qytetarëve, familjarëve, miqve e shokëve, të cilët shkuan për t’i dhëne lamtumirën e fundit nënoficerit të FSK-së.
Në emër të Forcës së Sigurisë së Kosovës të pranishmëve iu drejtua Komandanti i Qendrës së Stërvitjes Profesionale, nënkolonel Bastri Topalli nga Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes i cili shprehu ngushëllime familjes, pjesëtarëve të FSK-së, shokëve dhe kolegëve, me këtë rast ai theksoi se: “ Arsimi ishte më shumë se një ushtarak i guximshëm, ai ishte një njeri me një shpirt të fortë dhe një zemër të madhe, ishte një njeri që e donte vendin e tij dhe i gatshëm të sakrifikonte për të mirën e vendit , ishte një shembull i përkushtimit dhe sakrificës një model i vërtetet për të gjithë ne”. Arsimi si i ri i ishte bashkuar radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe pas përfundimit të luftës ishte sistemuar në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës ku kishte shërbyer deri në transformim, për të vazhduar në Forcën e Sigurisë së Kosovës duke kryer detyra të nënoficerit deri sa vdekja e ndau nga shërbimi që gjithë jetën ja kishte kushtuar vendit.