Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu, ka thënë se është nivel i ulët që qeveria ta kthejë Forcën e Sigurisë së Kosovës në një pozitë të tillë që të bëhen fokus i mediave, për shkak të shujtave.
“Ne kemi qenë krenar me mënyrën se si FSK-ja ka operuar ndër vite, është nën çdo nivel që sot qeveria me politika ad hoc ta kthejë ushtarin e Kosovës në një pozitë të tillë që ata të bëhen fokus i mediave vendore e ndërkombëtare se si po ushqehet ushtari i FSK-së,” ka thënë Deliu.
Tutje, Deliu kritikoi qeverinë Kurti për ushqimin e pamjaftueshëm të ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Të dhemb zemra kur sheh ushtarë të FSK-së, që më kanë shënuar për gjendjen e rëndë që ata sot janë, të privuar nga shujta. Fokusi kryesor duhet të jetë sot si do të ushqehen ushtarët e FSK-së, mburremi me FSK-në, por kjo mburrje po shihet që është e pamjaftueshme kur sfidat brenda këtij institucioni janë të rënda. Për keqardhje niveli i qeverisjes e mungesa e empatisë ndaj djemve dhe vajzave, burrave dhe grave që i kanë shërbyer me nder e pëkushtim Forcës së Sigurisë së Kosovës,” shtoi Deliu.