Shqipëria dorëzoi të hënën pranë UNESCO-s kërkesën për përfshirjen e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa në pasuritë natyrore botërore në programin “Njeriu dhe Biosfera”.
Aplikimi pritet të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që mbahet vitin e ardhshëm.
Lumi Vjosa i njohur si një nga lumenjtë e fundit të egër në Evropë u shpall “Park Kombëtarë” nga qeveria shqiptare në mars të vitit të kaluar pas përpjekjeve disavjeçare të organizatave shqiptare dhe ndërkombëtare mjedisore për mbrojtjen e këtij lumi nga ndërtimi i digave të hidrocentraleve.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se dosja përmbante një punë të mirëkoordinuar të autoriteteve shqiptare me ekspertët e UNESCO dhe Unionit Ndërkombëtar të Mbrojtjes së Natyrës e cila shkon paralelisht me miratimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Vizitorëve të Vjosës.
Lumi i Vjosës është ndër lumenjtë më të mëdhenj të Shqipërisë, sidomos për sa i përket prurjeve të shumta ujore.
Me një gjatësi prej 272 km Vjosa rrjedh nga malet e Pindit në Greqi dhe përshkon territorin shqiptar deri në derdhjen në Adriatik.