Lahi Brahimaj, ish-komandanti i UÇK-së, i ka bërë thirrje prokurorisë për të nisur hetimet lidhur me procesin e tenderit për furnizim me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Sipas Brahimajt janë një mori pyetjesh që duhet të bëhen lidhur me këtë tender. Ish-komandanti i UÇK-së e ka quajtur maskaradë procesin e tenderimit.
“Tenderi “i pasulit” vetëm në kokën e çmendur të këtyre pushtetarëve mund të trajtohet si sekret shtetëror. Kush e mori atë të drejtë që ta cilësojë si të tillë dhe cili ishte qëllimi i vërtetë? E kuptueshme se pyetja më e qëlluar është: “A nuk patët ku të përfitoni 10 milionë euro tjetërkund veç tek pasuli i ushtrisë, apo çfarë halli keni?”, thuhet në postimin e Brahimajt.
Brahimaj ka kërkuar nga qeveria që ta ndërrojë qasjen aktuale ndaj ushtrisë, për shkak se sipas tij kjo qasje është në rrugë antishtetërore dhe antikombëtare.
“Ushtria është krijuar për të ekzistuar sa të ekzistojmë si shtet dhe si komb. Planifikimi i gabuar është planifikim për dështim të qëllimshëm. Sekretet shtetërore janë të tjera, por komplote shtetërore për të shkatërruar moralin e ushtrisë po shohim çdo ditë. Propaganda se ushtarët që kërkojnë paga nuk janë target i Ministrisë është e ultë dhe e pavërtetë. Në kohë paqeje, ushtarët jetojnë nga paga, dhe Kosova ushtrinë profesionale duhet ta trajtojë dinjitetshëm. Nuk është në luftë Kosova që ushtarët të mos kërkojnë paga. Vetëm në luftë nuk është me rëndësi paga; e atëherë të gjithë jemi ushtarë. Shteti i Kosovës duhet ta ndërrojë qasjen në tërësi ndaj ushtrisë. Qasja aktuale është në rrugë antishtetërore dhe antikombëtare”, thuhet në postimin e Lahimajt.