Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se Qeveria nuk po mundet ta fsheh “korrupsionin me tenderët sekret”, duke marrë shkas nga një deklaratë e fundit e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla se nuk di detaje për tender 15 milionë euro në dikasterin që ai udhëheq.
Bajrami thotë se MPB-ja negocioi vetë me kompaninë ‘Infosoft Systems’, të cilës ia dha 5 milionë euro më shumë sesa shuma që diskutohej në procedurë të hapur.
“As Rusia as Serbia, e as bombat atomike nuk mjaftojnë për ta fshehur korrupsionin me tenderët sekret të kësaj Qeverie”, shkroi Bajrami në një postim në Facebook. “Vetëm në një tender në Ministrinë e Punëve të Brendshme ndërrimi nga procedura e hapur në atë sekrete i kushtoj buxhetit të shtetit 4 milionë e 693 mijë e 266 Euro”.
“Kjo është historia e tenderit 15 milionësh në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të cilin ministri mbrëmë tha “nuk i di detajet”. Ja detajet ministër”, shkroi ajo, duke përshkruar procedurën që tha se është ndjekur.
Në viti 2017, Bajrami tha se “blerja e licencave të Microsoft-it është bërë me procedurë të hapur, ashtu siç e kërkon Ligji i Prokurimit Publik, kontratë tri vjeçare, në atë kohë tenderin e kishte fituar operatori ekonomik/kompania vendore “Cacttus” që kishte ofruar çmimin me të ulët 9 milionë e 529 mijë e 174 euro”.
“Në vitin 2020 prapë për blerje të licensave të Micosoft-it përmes një procedure të hapur, tenderin e fiton kompania nga Shqipëria ‘Infosoft Systems’, por kësaj radhe jo çmimi me i ulët sepse në garë kanë qenë edhe dy operatorë me çmim më të ulët se operatori fitues ‘Infosoft Systems’, por sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme ata nuk i kishin plotësuar të gjitha kërkesat e tenderit. Pra në vitin 2020 përmes procedurës së hapur ‘Infosoft Systems’ e furnizon Ministrinë e Punëve të Brendshme me licenca të Microsift-it për tri vite me çmim prej 10 milionë e 295 mijës e 243 euro”, shtoi Bajrami.
Në vitin 2023, Bajrami tha se Ministria e drejtuar nga Sveçla nuk shpalli më tender por e zgjodhi vetë një kompani për tenderin 15 milionësh.
“Çka ndodhë në vitin 2023 është se Ministria e Punëve të Brendshme nuk shpallë më tender, duke eliminuar kështu çdo garë mes operatorëve ekonomik dhe kontratën e negocion vetëm me kompaninë ‘Infosoft Systems’, të cilën veçse e kishte brenda nga viti 2020, por tash kjo kontratë për kohën e njëjtë, mallin e njëjtë i kushton buxhetit të Kosovës hiç me pak se 14 milionë e 988 mijë e 509 euro”, shkroi Bajrami.
Ajo tha se kompania e njëjtë fitoi rreth 5 milionë euro më shumë duke negociuar direkt me Ministrinë.
“VËMENDJE: E njëjta kompani me procedurë të hapur 10 milionë e 295 mijë e 243 euro, ndërsa me procedurë të mbyllur/kontratë sekrete 14 milionë e 988 mijë e 509 euro, dmth, dallimi është 4 milionë e 693 mijë e 266 Euro”.
“Ky është korrupsioni që po bëhet me kontrata sekrete. Kjo është arsyeja që LDK është kundër kontratave sekrete”, shkroi Bajrami.
Ajo thotë se Sveçla e ka nënshkruar këtë kontratë dhe se nuk është e vërtetë që ai s’i di detajet e saj.
“Ministri mbrëmë tha se ”nuk i di detajet” e tenderëve, kjo është e pavërtetë sepse ai e ka nënshkruar këtë kontratë, Ligji i Prokurimit Publik ia kërkon ministrit me nënshkru çdo kontratë që është në vlerë mbi 250 mijë euro, ndërsa si arsye për procedurën sekrete që i kushtoj buxhtit gati 5 milionë euro më shumë ai përmendi Rusinë, Serbinë dhe bombat atomike”, shkroi Bajrami.