Grabitjet e vjedhjet nëpër shtëpi e banesa përveç që po sjellin humbje të mëdha, po shkaktojnë edhe pasiguri e ankth te qytetarët. Ka plot raste kur viktimat hasin në hajnat që kanë hyrë brenda shtëpive, duke u ballafaquar kështu direkt me rrezikun.
Një rast i tillë dhe mjaft i rëndë ka ndodhur sot në rrugën “UÇK” në Prishtinë, ku pesë persona ende të paidentifikuar kanë hyrë për të kryer grabitje në një banesë.
Burimet e Gazetës kanë bërë me dije se brenda banesës ndodheshin dy vajza, të cilat banonin me qera, dhe janë ballafaquar direkt me hajnat e maskuar, të cilët arritën të futen brenda.
Bazuar në informacionet e para, pesë të dyshuarit nën kërcënimin e armëve kanë kërkuar para dhe kanë gjetur një shumë të të hollave prej 1 mijë eurosh.
Sipas dëshmive të viktimave, hajnat i kanë lidhur dy vajzat, ku njërën prej tyre edhe e kanë sulmuar – e me pas kanë arritur t’i marrin paratë dhe janë larguar.
Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rasti të cilësohet ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera do merren posa të identifikohen dhe të kapen të dyshuarit.