Ish presidenti i Kosovës dhe njëherit presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka reaguar në lidhje me incidentin e presidentes, Vjosa Osmani, në aeroportin e Shkupit i cili mes tjerash ka thënë se nuk ekziston imunitet që mund të arsyetojë shmangien e kontrollit.
Lidhur me këtë deklarim të Pacollit ka reaguar një këshilltarë i presidentes Osmani i cili ka thënë se Pacolli është një “Biznesmen i ndikuar nga mjedisi rusofil”.
Pak kohë më vonë, zotëria i parë, Prindon Sadriu ka shpërndarë postimin e këshilltarit të presidentes Rinor Nuhiu, ku si mbishkrim ka shkruar ”Rusofili në aksion’’.
Postimi
Mirëpo, pak kohë pas postimit, burri i presidentes është përkujdesur ta fshijë postimin.
Këshilltari i presidentes Osmani, Rinor Nuhiu në postimin e tij, Pacollin e ka cilësuar si “njeri që nuk ka ndjeshmëri për interesat shtetërore të Kosovës, dhe që arsyeton sulmin brutal ndaj Kosovës”.
”Ja kush ka qenë Ministër i Jashtëm, zv. Kryeministër dhe President (për fat të mirë vetëm për 30 ditë) i Kosovës. Ky njeri jo vetëm që nuk ka ndjeshmëri për interesat shtetërore të Kosovës, por edhe arsyeton sulmin brutal ndaj vendit tonë”.
Më tej ai ka thënë se ”Interpretimet e tij për privilegjet dhe imunitetet janë tipike të një biznesmeni të ndikuar nga mjedisi rusofil. Prandaj, edhe injoron Konventat ndërkombëtare që rregullojnë udhëtimin e krerëve të shtetit e të cilat janë respektuar në çdo shtet tjetër ku ka udhëtuar Presidentja Osmani deri më tani”, ka shkruar Nuhiu në Facebook.