Ibish Neziri, ish-të burgosur politik, ka rrëfyer për torturat që ka përjetuar nga disa individë, të cilët sipas tij, kanë qenë pjesë e UDB-së famëkeqe.
Ai në RTVD ka përmendur emrat e shqiptarëve si Xhelajdin Beqiri, Hasan Jakupi, Jakup Lonçari, Faton Zhubi, Sejfullah Sahatçiu, Qazim Rugova, Mehemet Loci, Demë Muja, Mehmet Kasi, Ajet Gashi, Asllan Sllamniku dhe Sefedin Mehu.
Pas këtyre akuzave, ka reaguar ish-prokurori special, Elez Blakaj.
Në një postim në Facebook përmendi një rast konkret gjatë një debati në Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së.
“Përmenden emra dhe mbiemra konkretë të UDB-ashëve,” ka shkruar Blakaj, duke theksuar se gjatë një takimi, anëtari i komisionit, Smajl Elezaj, kishte thënë: “Osht dalë UDB-a në lista!”
Këto akuza dhe reagime kanë rritur shqetësimin për të kaluarën dhe për rolin e individëve të përmendur në ngjarjet historike të Kosovës.
Elez Blakaj kishte dhënë dorëheqje nga pozita e prokurorit special në gusht të vitit 2018 dhe ishte larguar nga Kosova, pasi është ankuar për presion gjatë punës së tij.
Ish-prokurori Blakaj kishte qenë duke hetuar dyshimet për keqpërdorime në listat e veteranëve të UÇK-së, ndërsa është marrë edhe me disa raste të gjykimeve për terrorizëm.