Lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar edhe me një postim në facebook, kësaj radhe duke u marrë direkt më incidentin e Presidentes Osmani në Shkup.
Ai shkruan se Presidentja nuk është fajtore për atë që ka ndodhur.
Sipas tij, as personeli i sigurisë në Shkup nuk është fajtor sepse duhet të garantojnë sigurinë e plotë për ҫdo pasagjer.
Mirëpo, Pacolli shkruan se faji kryesor i takon stafit të presidencës, që sipas tij është i mbipopulluar, i panevojshëm dhe jo profesional dhe gjithmonë arrogant.
Postimi i plotë:
Në përgjigje të shumë pyetjeve që më janë parashtruar sot lidhur me incidentin në aeroportin e Shkupit, dua të theksoj shkurt se;
Presidentja, si person me imunitet diplomatik, nuk është ASPAK fajtore për atë që ka ndodhur. Ajo nuk organizon e as qe duhet të organizoi tranzitimin në një aeroport të tretë, kështu që Presidentes i’u është imponuar çdo gjë që ka ndodhur.
Po ashtu, edhe personeli i sigurisë në aeroportin e Shkupit nuk është fajtor; ata kanë detyrën të garantojnë siguri të plotë për çdo pasagjer që udhëton me aeroplan.
Faji kryesor i takon stafit të presidencës, që shpesh është i mbipopulluar, i panevojshëm dhe jo profesional dhe gjithmonë arrogant. Ky staf ka dështuar sërish në facilitetin e kalimit të presidentes në mënyrë dinjitoze në këtë pikë kufitare aeroportuale.