Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, është jashtë rrezikut, pas të shtënave në afërsi të tij të dielën në Florida, thanë nga ekipi i fushatës së tij dhe Shërbimi Sekret amerikan.
Nuk ishte menjëherë e qartë nëse të shtënat e raportuara kishin në shënjestër kandidatin republikan për president.
Shërbimi Sekret amerikan tha se ishte duke hetuar dhe se incidenti ndodhi pak para orës 14:00, sipas kohës lokale.
“Ish-presidenti është i sigurt”, tha Shërbimi Sekret.
Agjencia e lajmeve, Associated Press raporton, duke cituar dy zyrtarë anonimë të sigurisë, se agjentët e Shërbimit Sekret amerikan kanë hapur zjarr pasi kanë parë një person të armatosur pranë klubit të golfit të Trumpit.
Ish-presidenti amerikan kishte qenë duke luajtur golf të dielën, kur ndodhi incidenti.
Personi i dyshuar ishte larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë, por më vonë u arrestua në një qark aty pranë, thanë zyrtarët.
Një pushkë e stilit AK u gjet në vendin afër klubit të golfit të trupit, sipas zyrtarëve.
Klubi i golfit ishte pjesërisht i mbyllur në kohën kur Trump po luante dhe agjentët ishin afër tij kur e panë personin e armatosur me armë zjarri, thanë zyrtarët. I dyshuari dukej se kishte futur grykën e pushkës përmes vijës së gardhit në momentin kur agjentët hapën zjarr, thanë zyrtarët, raporton AP.
Dy muaj më parë, Trump ishte cak i një atentati teksa po merrte pjesë në një tubim zgjedhor në Pensilvani dhe një plumb e plagosi lehtë në vesh.
Ish-presidenti Trump ishte kthyer në Florida këtë fundjavë nga një udhëtim fushate në pjesën perëndimore të SHBA-së, përfshirë një tubim të premten mbrëma në Las Vegas dhe një aktivitet për mbledhje fondesh në Utah.
Masat e sigurisë për kandidatin republikan për zgjedhjet presidenciale amerikane të nëntorit janë shtuar pas atentatit ndaj tij në korrik.