Monday, October 14, 2024
spot_img

Rrëfimi tronditës i gruas 33-vjeçare: Për 13 vjet jam dhunuar nga ish-burri

Një 33-vjeçare e cila ka rënë pre e dhunës bashkëshortore ka rrëfyer rrugëtimin e saj 13 vjeçar të dhunës nga bashkëshorti, deri në denoncim.

Nëna e tre fëmijëve, 12, 10 dhe 8 vjeç tregon se bashkëshorti i saj e ka dhunuar sistematikisht për 13 vjet rresht, madje në disa raste edhe në sy të fëmijëve, të cilët i kanë kërkuar asaj që të divorcohet.

Gruaja rrëfen se denoncimin e ka bërë për hir të fëmijëve të saj, në mënyrë që ata mos rriten me frymën e dhunës. Pas denoncimit, 33-vjeçarja ka marrë urdhër mbrojtjen dhe për 9 muaj është strehuar në Qendrën e Viktimave të Dhunës bashkë me fëmijët e saj.

Nëna e dhunuar tashmë është në punë ku merr një rrogë minimale prej 220 mijë lekësh të vjetra, me të cilat do ti duhet të sakrifikojë për fëmijët që ti shkollojë dhe të kujdeset për ta.

33-vjeçarja ka edhe një mesazh për të gjitha gratë e dhunuara: Nuk është asnjëherë vonë që të denoncojnë dhe të pranojnë që janë dhunuar.

(Gruaja e dhunuar gjatë intervistës është quajtur me pseudonimin “Teuta”)

Intervista me Teutën, 33-vjeçaren e dhunuar nga bashkëshorti

Si vendose ta denoncosh bashkëshortin pas 13 vitesh dhunë? Çfarë të shtyu?

Gruaja e dhunuar: Më shtunë 3 kalamajtë sepse unë kam tre fëmijë dhe mendova që këta fëmijë mos ti rris me dhunë dhe vendosa të denoncoj.

Çfarë moshe janë fëmijët?

Gruaja e dhunuar: Mosha 12, 10, 8

Ti vetë për sa kohë ke pësuar dhunë përpara se të merrje këte vendim?

Gruaja e dhunuar: 13 vite me radhë dhe gjithmonë shkojë me shpresën se do kthejë, do rriten kalamajtë dhe do bëhen gjerat më mirë, por ato u bënë më keq.

Po familjarëve u thoje që dhunoheshe?

Gruaja e dhunuar: Jo nuk i thoja, sepse ata ishin në gjendje të keqe ekonomike, të sëmurë dhe thoja mos ti bija dhe unë barrë.

Po bashkëshorti pse ju dhunonte, çfarë kërkonte prej jush?

Gruaja e dhunuar: Ai ishte përdorues i alkoolit, ishte xheloz shumë. Ai ka jetuar jashtë shtetit dhe ne na linte në Shqipëri dhe gjërat shkuan shumë keq dhe vendosa ta denoncoj. Thashë mos ti rris kalamajtë kështu. Nuk duroja dot më.

Po pas rasteve kur ai të dhunonte në këto 13 vjet, të kërkonte ndjesë prapa, apo i dukje normale çfarë bënte?

Gruaja e dhunuar: E dinte çfarë bënte, por ai kishte një urrejtje ndaj femrave në përgjithësi, jo vetëm ndaj meje. Thoshte se të gjitha janë tradhëtare dhe mendonte vetëm të keqen dhe nuk më kërkonte ndjesë. Ishte shumë kokëfortë.

Po ti vetë si mendoje, kjo ishte jo normale?

Gruaja e dhunuar: Normalisht

Ishin rastet e dhunës së fortë fizike?

Gruaja e dhunuar:Të forta fizike, kam pasur nxirje, vrarje. Kam qenë për 3 muaj e nxirrë dhe thoja jam vrarë, jam rrëzuar se më vinte zor.

Po fëmijët a ishin aty ku ai ushtronte dhunë?

Gruaja e dhunuar: Mundohesha që të ruhesha nga fëmijët, po ata shumicën e rasteve kanë qëlluar dhe e kanë parë, sidomos fëmiaj i madh që është goc ajo e ka përjetuar më shumë.

Çfarë të thonin fëmijët pas dhunës?

Gruaja e dhunuar:Ata më thonin, goca sidomos; “ndahu moj mami se nuk mund ta durojmë dot. Ne nuk të ndihmojmë dot”. Pastaj mendova se thashë këta do bëhen të dhunshëm si ai, sidomos çunat, dhe vendosa ta denoncoja.

E kishe idenë se  çfarë të priste pas denoncimit në gjykatë?

Gruaja e dhunuar: Nuk është se isha shumë i informuar por e dija që do gjeja një mbështetje, do marr një urdhër mbrojtje dhe do më gjëjë shteti një strehë ku unë do isha e sigurt dhe mos dhunohesha më.

Si u soll gjyqtari?

Gruaja e dhunuar: Për fat të mirë më ka ndihmuar shumë shpejt që unë të marr urdhërin e mbrojtjes sepse unë kisha fakte.

Në momentin që more urdhërin e mbrojtjes ti ike që aty?

Gruaja e dhunuar:  Po, unë kërkova që mos qëndroja as në atë qytet ku banoja se kisha frikën e ish-bashkëshoritet dhe pastaj më drejtuan për të Qendra e Viktimave të Dhunës ku qëndrova 9 muaj.

Familjarët të mbështetën?

Gruaja e dhunuar: Po, e patën pak të vështirë që të largohesha nga qyteti, por unë ju thashë që nuk duroj dot më sepse është më mirë të largohem që ai mos ta dijë ku ndodhem.

Ju keni bërë divorcin?

Gruaja e dhunuar: Po

Po bashkëshorti ka tentuar të takojë fëmijët më pas?

Gruaja e dhunuar: Jo, asnjëherë sepse ai është edhe pak më probleme nga depresioni, ka qenë përdorues i alkoolit. Nuk është në gjendje normale.

Po familjarë të tij kanë tentuar të të kërcënojnë?

Gruaja e dhunuar: Jo absolutisht jo, familjarët e tij e kanë ditur se çfarë kam hequr unë dhe ishin të gjithë kundër tij. Deri në momentin që unë ika ata ishin me mua. Kur ika normal që u larguan pak.

Aktualisht je në kontakt me ta?

Gruaja e dhunuar: Jo jo, nuk merrem me asnjë.

9 muaj në strehëz mund të më thuash si ke kaluar, me gra të tjera të dhunuara..?

Gruaja e dhunuar: Për momentin duket mirë sepse ke ikur prej rrezikut dhe është gjë e mirë. Përgjithësisht mirë.

Po kur dëgjoje dëshmitë e grave të tjera që ishin atje si të dukej?

Gruaja e dhunuar: Ndihesha shumë keq, sepse e kisha përjetuar dhunën dhe prekesha direkt.

Kishte raste të tjera të grave të dhunuara me fëmijë?

Gruaja e dhunuar: Po

Dhe si ishte jetesa aty me fëmijë, janë mundësitë?

Gruaja e dhunuar: Janë, jo sa duhet se është një qendër e vogël. Aty vijnë persona shumë. Kur kam qenë unë kemi qenë deri në 40 persona. Brenda janë dhomat pak  të vogla.

Në këto 9 muaj ti nuk pate mundësi të punoje?

Gruaja e dhunuar: Mu mundësua, pas 2-3 muajsh më gjetën punë dhe shkova për rreth një muaj në një vend. Pastaj një organizatë me gjeti punë dhe aktualisht jamë në punë.

Po bashkëshorti a paguan për fëmijët, sepse ështgë detyrim ligjor?

Gruaja e dhunuar: Gjykata ka urdhëruar për pagim, por ai nuk punon nuk ka ku ti marrë.

Si po ja del financiarisht Teuta?

Gruaja e dhunuar: Për momentin më kanë ndihmuar shoqatat që më ka paguar qeranë për disa muaj.

Teuta ti jeton në periferi të Tiranës, komuniteti që jeton me ty e di historinë tënde?

Gruaja e dhunuar: Jo, shumë pak, vetëm një shtëpi që kam qëndruar tre muaj e zonja e shtëpisë e dinte.

Ata që e dinë si të shohin?

Gruaja e dhunuar: Dikush më sheh me keqardhje, dikush edhe paragjykon, është e ndare etj.

Tani që ke filluar një jetë të re, ndihesh e paragjykuar, një viktimë e dhunuar apo një nënë e tre fëmijëve?

Gruaja e dhunuar: Një nënë e tre fëmijëve e mbijetuar, edhe që dua tja dal mbanë, se unë kam një vit shkollë, jam nga veriu por edhe mundësia financiare nuk më ka dhënë mundësi.

Ke vetëm një vit shkollë?! Po ti e ke shqipen më të mirë

Gruaja e dhunuar: Po

Di të shkruash?

Gruaja e dhunuar: Shumë pak të shkruaj, të lexoj di.

Nuk  është kurrë vonë.

Çfarë do t’i thoje grave të tjera të dhunuara?

Gruaja e dhunuar: Do tu jepja një mesazh të gjitha grave që të bëhen të forta, nuk është von të denoncojnë dhunën sepse do rrisin edhe një brez tjetër të dhunshëm. Nuk është von dhe nuk është trup të thotë që është e dhunuar.

Teuta sa vjeç je?

Gruaja e dhunuar: 33

A mendon të fillosh një jetë të re, të rimartohesh?

Gruaja e dhunuar:Aboslutisht jo. Mendoj vetëm për ata fëmijë që tia dal dhe ti rrit sepse jeta në Tiranë është e vështirë.

Po nuk janë të gjithë burrat të dhunshëm..

Gruaja e dhunuar: Më është krijuar ajo ideja dhe nuk dua ta provoj më. Dua thjesht të sakrifikoj për fëmijët ti shkolloj.

Po fëmijët janë të traumatizuar, a janë trajtuar nga psikologët?

Gruaja e dhunuar: Kanë dëshmuar, ishte psikologia, por vinte rrallë njëherë në javë.

Njëherë në javë për 40 veta?

Gruaja e dhunuar: Po.

Po në shkollë fëmijët e tu kanë një trajtim të veçantë ?

Gruaja e dhunuar:Kam folur, ka folur edhe psikologia e shkollës që të mundohen ti mbajnë pak më afër, por edhe unë nuk është se jam e pranishme gjithmonë në shkollë, sepse dal në mëngjes iki në punë dhe ky është problem që unë i takoj shumë rrallë në shkollë.

Teuta çfarë do t’i thoje ministrit?

Gruaja e dhunuar:Ne gratë e dhunuara duhet të kemi një strehëzë, një shtëpi. Unë marr 220 mijë lekë dhe kudo që shkoj më thonë që je në punë, por 220 mijë lekë në Tiranë nuk janë asnjëgjë.

Klosi: Brenda tragjikes së Teutës ka një mesazh që duhet të jete edhe gjithë fokusi, në një rast që mund të quhet i pashpresë përsëri në momentin që ajo pranoi të denoncoi dhe këshillohet pati një zgjidhje për të. Te Teuta me kalimin e viteve do fillojë të integrohet dhe të futet për të rregulluar jetën e vetë. Ka një shpresë. Sa kemi mundësi në të bindim gratë të denoncojnë./Ora News/

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit