Rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kanosje serioze dhe sulme fizike gjatë kryerjes së detyrave zyrtare janë goxha të shpeshta në vendin tonë. Kështu ka ndodhur edhe sot në orët e para të mëngjesit në stacionin policor Jugu në Prishtinë.
Një zyrtar policor është sulmuar fizikisht nga një person i dyshuar brenda stacionit policor.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që sulmoi zyrtarin policor është Binak Shuti, rreth 29 vjeçar.
Bazuar në informacionet e para, polici (emër i njohur për redaksinë) është goditur nga i dyshuari pasi ky i fundit ishte shoqëruar në stacion lidhur me një rast në të cilin ishte përfshirë.
Në shenjë revolte, 29 vjeçari e ka goditur me kokë në fytyrë zyrtarin policor, duke i shkaktuar lëndime – për çka mori trajtim mjekësor.
Burimet e njëjta thonë se kolegët e viktimës, zyrtarët policorë të tjerë brenda stacionit, kanë intervenuar dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
I dyshuari nuk është deklaruar para hetuesve policorë, duke u mbrojtur në heshtje.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit, ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.