spot_img
Friday, December 27, 2024
spot_img

Skandali diplomatik me Osmanin në Shkup, portali maqedonas: Sigurimi i Afrim Gashit ia drejtoi armën në ballë policit

Një skandal diplomatik i ka tensionuar raportet mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Skandali ka ndodhur mbrëmë në aeroportin e Shkupit, kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në kthimin e saj nga Parisi, ka zbarkuar në aeroportin e Shkupit, nga ku është dashur të vazhdojë për në Kosovë.

Asaj iu është kërkuar hapja e valixheve, gjoja në përputhje me procedurat e aeroportit.

Siç shkruan mediumi maqedonas 24 Info, gjithçka është parë nga pasagjerët dhe punonjësit në aeroport. Sipas deklaratave të tyre, ajo ka refuzuar dhe “me paturpësi dhe në mënyrë të papërshtatshme” i është drejtuar sigurimit të aeroportit.

Portali maqedonas raporton gjithashtu se ajo më pas ka telefonuar kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi, nga i cili ka kërkuar ndihmë për të kaluar pa i kontrolluar bagazhet. Gashi ka dërguar në aeroport pjesëtarë të sigurimit të tij, në krye me shefin Sabedin Sinani.

Sinani dhe disa pjesëtarë të tjerë të sigurimit të Gashit para dhjetëra pasagjerëve gjoja “paturpësisht dhe në mënyrë ofenduese” iu drejtuan sigurimit të aeroportit dhe kërkuan që presidentja e Kosovës të kalojë pa kontroll.

“Punonjësit refuzuan dhe më pas Sinani nxori një armë dhe ia drejtoi në ballë policit në aeroport”, shkruan portali maqedonas, 24 info.

Presidenca e Kosovës ka thënë se sigurimi ka tentuar t’ia marrë telefonin personal Osmanit dhe madje e ka shtyrë atë. Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina ka thënë se “nga pala maqedonase ka pasur tentime për të provokuar delegacionin kosovar”, ndërsa Policia e Kosovës është detyruar të reagojë për këtë incident për të lejuar kalimin.

“Në kundërshtim me praktikën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar t’ia marrë telefonin personal presidentes. Ajo nuk e ka lejuar një gjë të tillë sepse do të përbënte shkelje të rëndë të ligjit”, thuhet në komunikatën e Kupinës.

Më tej ai pohon se pala maqedonase ia ka marrë çantën personale presidentes edhe pse ishte në kundërshtim me rregullat, të cilën ekipi i saj e ka lejuar.

“Megjithatë, në asnjë mënyrë nuk lejohet dorëzimi i telefonit personal. Sjellja e Aeroportit të Shkupit është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur në asnjë udhëtim të presidentes askund në botë, përfshirë edhe vendet që nuk e kanë njohur vendin tonë”, tha ai.

Osmani e njoftoi kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, “të cilin e falënderon për ndihmën e dhënë”.

“Vlen të theksohet se, pasi presidentja ka hipur në aeroplan, aeroporti nuk ka lejuar që aeroplani komercial të ngrihet për më shumë se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk ka lejuar nisjen për shkak se aeroporti nuk do të ishte gati. Zyra e Presidentes kontaktoi palën sllovene, e cila na njoftoi se kjo nuk është absolutisht e vërtetë dhe se avioni do të mund të ulet në orarin e planifikuar”, përfundon deklarata e këshilltarit të presidentes.

Kompania TAV, e cila menaxhon aeroportin e Shkupit, në reagimin e saj pas incidentit me Osmanin tha se siguria e udhëtarëve nuk është kërcënuar dhe se veprimet e tyre janë në përputhje me ligjet në fuqi. Në përgjigje thuhet se sipas legjislacionit aktual kanë detyrimin të kryejnë kontrolle për të gjithë pasagjerët.

TAV Maqedonia informon se në përputhje me Ligjin për aviacion dhe legjislacionin ndërkombëtar lidhur me sigurinë e aviacionit civil, operatori i aeroportit ka obligim ligjor që të bëjë kontroll të sigurisë të të gjithë udhëtarëve, bagazheve dhe mallrave”, thuhet në reagim.

Më tej ata thonë se kontrolleve i nënshtrohen edhe pasagjerëve që udhëtojnë përmes seksionit VIP.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

4,500FansLike
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img

Lajmet e Fundit