Aksidenti në komunikacion, nuk i ndaloi pensionistët nga Kacaniku të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për në bregdetin shqiptar. Në Carralevë, autobusi I cili po I transportonte u aksidentua me një kamion.
Nisja u bë herët në mëngjes.
Por udhëtimi i pensionistëve nga Kaqaniku për në bregdetin shqiptar nuk shkoi siç pritej.
Kjo pasi në kthesat e Grykës së Carralevës, autobusi me të cilin po udhëtonin u ndesh me një kamion.
E rasti u konfirmua edhe nga Policia e Kosovës.
“Sot me datë 10.09.2024, rreth orës 07:11 është raportuar për një aksident trafiku në rrugën Carralevë-Duhël. Në aksident janë të përfshirë një autobus dhe një kamion. Policia ka dalë në vendngjarje dhe është duke u marr me rastin. Pasi që autobusi është rrotulluar në krahë – kanë intervenuar edhe zjarrëfikësit për t’i nxjerr pasagjerët”, thanë nga Policia e Kosovës.
Ndërsa intervenimi ishte i menjëhershëm, posa u pranua thirrja për ndihmë.
Ndërkaq në mjetin e udhëtimit kishin rreth 50 pasagjerë.
Nga aksidenti i sotëm mes një autobusi dhe kamioni, këtu në fshatin Carralevë, 45 pasagjerë kërkuan ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjeksisë Familjare në Suharekë.
E të lënduar mbetën tre persona.
Personat e lënduar kanë marrë trajtim mjekësor në QMF rreth dy orë dhe më pas janë liruar.
Aksidenti nuk I ndaloi pensionistët të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për në bregdetin shqiptar. Sipas kompanisë ata janë transportuar me autobusin tjetër për në Shqipëri.