Shqipëria thyen mallkimin. Kuqezinjtë marrin fitoren e parë historike përballë Ukrianës, duke i mundur këta të fundit me rezultatin 2-1 në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Ukrainasit ndëshkuan kuqezinjtë në minutën e 50. Një top nga e majta u harkua në anën tjetër ku Konoplia gjuajti dhe gjeti të papërgatitur Strakoshën, duke kaluar Ukrainën në avantazh.
Skuadra e drejtuar nga Silvinjo riktheu baraspeshën në minutën e 55. Pas goditjes nga këndi, topi shkoi tek Ismajli, i cili gjuajti dhe mposhti Trubin.
Shqipëria përmbysi shifrat në minutën e 66. Një top në thellësi i Bajramit gjeti Manajn i cili pasoi saktësisht në qendër. Laçi la topin të shkonte tek Asani i cili gjuajti dhe nuk gaboi.
Pjesa e parë e ndeshjes së luajtur në “Epet Arena” të Çekisë u mbyll në barazim 0-0.
Kuqezinjtë patën mundësinë e artë për të zhbllokuar ndeshjen në minutën e 9. Mitaj nga e majta pasoi për Laçin, por gjuajtja e tij diagonale nuk gjeti portën ukrainase.
Në minutën e 21, Asllani nga e majta harkoi në shtyllën e parë, por Laçi dhe Manaj nuk ia dolën të devijonin në një pozicion të shkëlqyer duke shpërdoruar një tjetër mundësi të mirë.
10 minuta më vonë, një harkim nga e majta e sulmit kuqezi drejt shtyllës së dytë, Asani me kokë ktheu topin në qendër, por nuk gjeti askënd.
Ndeshjen e radhës, Shqipëria do ta luajë në “Air Albania” më 10 shtator, ndërsa Ukraina do të ndeshet me Çekinë.