Në kohën kur po flitet për të burgosurit politikë dhe përjetimet e tyre aso kohe, edhe profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Sadete Tërnava-Osmani ka bërë një rrëfim për burgosjen e babait të saj.
Ajo përmes një postimi në Facebook ka rrëfyer ngjarjen se si ka ndodhur, kur ajo ishte në klasën e shtatë.
Ajo tregon se si ishte burgosur babai i saj, dhe më pas se si UDB-ashët kishin bërë gërdinë në banesën e tyre për bastisje.
Profesoresha Tërnava rrëfen se si mori letrën e parë nga babai i saj dhe si e përjetoi familja largimin e tij.
“Erdhi dita e babai u lirua nga burgu, por asnjëherë nuk ia arriti të rimëkëmbej e të kthehej në atë babanë e hareshëm të para-burgut, në profesorin pedant e të qeshur, i cili kishte plot shokë e shoqe, madje aq shumë sa që çdo natë shtroheshin darka e shpesh s’kishim aq vend për t’i zënë. Nga viti 1985 filloi të mbyllej në dhomën e tij të punës e në botën e tij. Pothuajse të gjithë shokët i humbën. Na izoluan”, shkruan ajo.
Profesoresha Sadete Ternava – Osmani
Postimi i plotë:
Burgu si rrëfim etnografik
Aq gjatë kemi jetuar nëpër diktaturat e ish Jugosllavisë sa që ende mirë më kujtohet se ajo mënyrë jetese për shumë njerëz në Kosovë u pat shndërruar në një normë provueshmërie dhe realiteti me të cilin vetëdijshëm e pavetëdijshëm është jetuar.
Në vitin 1981, kur isha në klasën e shtatë të shkollës fillore, (sot Faik Konica) dhe kur papritmas kujdestarja na tha qe ta lëshonim mësimin e të shkonim ne shtëpi, pa na treguar se pse, disa prej nesh që jetonim ne lagjen Dardania u gjendëm në flakët e demonstratave, të policisë e zhurmës dhe kush si patëm mundësi ikëm për në shtëpi. Atë ditë nëna nuk na la të dilnim më, ndërkaq në mbrëmje erdhi gjyshja, gjyshi e axha dhe ashtu si pa disponim bisedonin diçka me zë të ulët. Më vonë e kuptova se kishin qenë të frikësuar për babanë, të cilin më vonë, nën pretekste qesharake, por me qëllim që t’ia ndalnin hovin e tij shkencor në fushën e specializimit lidhur me temën e popullsisë se Kosoves në mesjetë, e burgosën.
Atij mëngjesi kur UDBashët dhe policia hynë në banesë për bastisje bënë aq kërdi, sa që edhe sot kur shoh libra, letra, fletore e lapsa më duket se fluturojnë sikur atë dite tek i shtynin me tytat e armëve.
Pas një viti, e mora një letër dërguar prej babait nga burgu e të cilën ma solli një shoqe. Me gjasë dikush e kishte nxjerrë nga kutia e postës në përdhese por edhe pse e zhubravitur lexohej mire: E dashur bije e ime….
Ja çka do të thonë kujtimet e fëmijërisë e të rinisë. Asnjëherë nuk harrohen. Në varësi të intensitetit dhe të llojit të ngjarjes vulosen herë si trauma, herë si krenari e herë si mall. Disa prej tyre janë si mimoza sepse lehtë shkunden, disa si trëndafila që e kërkojnë stinën e tyre e disa janë gjithmonë aty, si lisa të cilët s’ka sëpatë që i shkurton!
Gjatë gjithë asaj periudhe, për nënën, motrat, gjyshen dhe gjyshin, historia jonë familjare nuk ishte e lehte; ishte me plot zemërim dhe helm për pushtetin, sidomos për neve vajzave sepse gjithçka e mirë për fëmijërinë u këput në mes. Gjyshi, një njeri me shumë autoritet, ndërroi jete si 62 vjeçar përderisa e kishte të birin në burg (besoj që njeriu, sidomos prindi mund të vdes nga mërzia); axhën e përjashtuan nga puna; nëna, grua shumë e bukur, me veç 32 vjet u plak brenda natës, e Fatlumja, motra e vogël, vetëm katër vjeçe, u ngjit aq shumë pas meje sa që poezinë e parë të botuar në Rilindjen për fëmijë të asaj kohe ia pata kushtuar asaj.
E vetmja e cila asnjëherë nuk e humbi buzëqeshjen dhe shpresën se një ditë do të behej mirë ishte gjyshja, një person magjepsës, e cila më ka bërë të besoj se e mira nuk vdes kurrë, se edhe midis djajve dhe bishave mund të fitosh. Ishte grua monumentale. Asnjëherë nuk e pranoi humbjen, sepse sipas saj, fatkeqësinë kur ta shkakton armiku ajo nuk është fatkeqësi, dhe se nëse ta marrin bukën kallinj do të ketë gjithmonë.
Kjo filozofi po të parafrazohej do të dilte se të qenët fatkeq është koncept pranimi varësisht prej faktorësh përcaktues të gjendjeve.
Erdhi dita e babai u lirua nga burgu, por asnjëherë nuk ia arriti të rimëkëmbej e të kthehej në atë babanë e hareshëm të para-burgut, në profesorin pedant e të qeshur, i cili kishte plot shokë e shoqe, madje aq shumë sa që çdo natë shtroheshin darka e shpesh s’kishim aq vend për t’i zënë. Nga viti 1985 filloi të mbyllej në dhomën e tij të punës e në botën e tij. Pothuajse të gjithë shokët i humbën. Na izoluan. Situata politike rëndohej; nëna filloi të qëndiste e të përgatiste torte për të na mbajtur dhe teksa gjithçka në Kosovë përkeqësohej, unë shkruaja poezi dhe herë pas here ndonjë botohej sa për të sjellë një dromcë optimizmi edhe për babanë, i cili për vitet e tij të izolimit deri me 1995 kur rifilloi punën si profesor, më duket se i pat lexuar të gjitha librat e botuara ne atë kohë.
Përkundër torturave të llahtarshme mbi të, të cilat si dromca i kam dëgjuar nga ndonjë i bashkë-burgosur, sepse ai asnjëherë nuk ka treguar gjë para nesh, e kam admiruar pakufishëm se si pat arritur ta mbajë pandikueshëm dashurinë për atdheun, librin, shkencën dhe njeriun. Për më tepër, rrallë kam takuar burra xhentëlmenë si ai. Urtak. Gjithmonë kërkesat i ka shoqëruar me lutje e falënderime.
Ky rrëfim etnografik mbi përvojat e jetës sime si bija e një të burgosuri politik doli si rezultat i emisionit për UDBashët dhe për të burgosurit politikë, e veçmas nga emisioni i mbrëmshëm ku fajtori bën akoma më shume faj.
Shkrimi sugjeron nevojën për rimendim të trajtimit te të burgosurve politikë dhe udbashëve, i cili kuptohet se është i pamjaftueshëm për të përcjellë specifikat historike dhe sociale të kujtimeve të dhimbshme individuale dhe kolektive. Rrëfimet televizive dhe shkrimet e këtij lloji nuk mjaftojnë për ta trajtuar të kaluarën. Vëmendja dhe nevoja për njohje sociale dhe për drejtësi arrihen me ligjin e lustracionit.